“Metoda ushtarake” me 5 hapa për të rënë në gjumë brenda pak minutash

Autoritetet kineze kanë një metodë torture të njohur si “rraskapitja e shqiponjës”. Ajo bazohet tek një praktike e lashtë, përmes së cilës skifterët i trajnonin të vegjlit e tyre duke mos i lënë kurrë të flinin. Ideja ishte që nëse e mban një skifter zgjuar për një kohë shumë tëgjatë, do ta thyesh vullnetin e tij për të rezistuar.

Dhe njerëzit nuk janë të ndryshëm. “Lodhja e shqiponjës” është tortura kur rojet kineze i bien një gongu pranë veshit ose ndezin 2 drita shumë të ndritshme para fytyrës së të burgosurit,për t’u siguruar që ai të mos flejë. Ajo që dinë shërbimet kineze të marrjes në pyetje ( siç e di edhe CIA në SHBA), është se një njeri i privuar nga gjumi është i dobët.

Kur nuk mund të pushosh, do të thuash dhe bësh çfarë të kërkojnë robëruesit tuaj. Gjumi është jetik në lidhje me mënyrën se si ne funksionojmë. Një gjumë i dobët është lidhur me një rrezik më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit, obezitetit dhe demencës. Mungesa e gjumit ndikon në gjendjen tuaj psikologjike, ju bën që të keni më pak të ngjarë të mbani mend gjërat, dhe e bën sistemin tuaj imunitar më pak të aftë për të luftuar infeksionet.

Po ashtu ai ndikon në performancën tuaj të përditshme. Kur jeni të përgjumur, jeni shumë më të prirur ndaj aksidenteve dhe keni një gjykim shumë më të dobët sesa në kushte normale. Siç e thekson Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA “mungesa e gjumit ka luajtur një rol të madh në gabimet njerëzore të lidhura me aksidentet tragjike, si shkrirja e reaktorëve bërthamorë, bllokimi i anijeve të mëdha dhe rrëzimet e avionëve”.

Për njerëzit që janë pjesë e ushtrisë, një gjumi i mirë mund të jetë një çështje për jetë a vdekje. Kjo është arsyeja pse ushtria amerikane praktikon “metodën ushtarake” të gjumit.

Kjo teknikë u regjistrua për herë të parë në librin e vitit 1981 “Pusho dhe fito:Performanca e një kampioni” nga trajneri olimpik Lloid Uinter.

Ai i kaloi vitet pas Luftës së Dytë Botërore duke biseduar me anëtarët e Korpusit Ajror të Ushtrisë Amerikane, ku mësoi për një teknikë pak të njohur që ata përdornin për të qetësuar pilotët e tyre. Thuhej se pilotët që përdornin metodën ushtarake, ishin në gjendje të flinin brenda 10 minutave.

Brenda vetëm gjashtë javësh, 96 për qind e pilotëve që përdornin këtë metodë thuhet se ishin në gjendje të binin në gjumë brenda këtij afati kohor, madje edhe kur në sfond dëgjoheshin të shtëna me armë.

Pesë hapat

1. Relaksoni fytyrën tuaj. Përqendrohuni tek balli, sytë, faqet, nofulla etj. Ndjeni tensionin e që ruhet në to, dhe largojeni me vetëdije atë.

2. Relaksoni supet. Lërini krahët dhe shpatullat të shtrihen dhe të qetësohen. Imagjinoni sikur një erë të butë dhe të ngrohtë po fryn butësisht poshtë krahëve.

3. Merrni fryme thellë. Thithni ngadalë ajër dhe lëreni të dalë po ngadalë. Ndërsa e bëni këtë, përqendrohuni tek mënyra se si ai e relakson stomakun tuaj. Mos u përpiqni ta mbani barkun të tërhequr; lëshojeni të gjithin të dalë jashtë.

4. Relaksoni këmbët. Era e ngrohtë është rikthyer, dhe këtë herë po ju lehtëson butësisht këmbët. Lërini këmbët tuaja të zhyten në shtrat ose në dysheme. Ato janë plumb të rënda nga dhimbja ndërsa shtrati është i butë.

5. Pastroni mendjen. Kjo realizohet në disa mënyra. Për shembull, përpiquni të vizualizonidisa imazhe qetësuese, si për shembull sikur jeni shtrirë pranë një lumi që rrjedh, ose sikur po shihni retë lart në qiell. Nëse kjo nuk funksionon, provoni të thoni vazhdimisht fjalët “mos mendo” për rreth 10 sekonda. Nëse shpërqendroheni, mos u zemëroni. Mjafton ta tërhiqni mendjen tuaj tek një nga këto dy teknika.

Praktika e përsos këtë metodë

Po çfarë thotë shkenca për metodën ushtarake të rënies në gjumit ? Fazat 1, 2 dhe 5 njihen ndryshe si “relaksim progresiv i muskujve”, dhe provat sugjerojnë se është një mënyrë e mirë për të nxitur një gjendje të qetë dhe paqësore. Për më tepër, teknikat e frymëmarrjes në fazën 3 dhe “imazhet e drejtuara” të fazës 5, kanë dëshmuar se “rrisin gjendjet e relaksimit dhe epërmirësojnë mirëqenien e përgjithshme”.

Por nga ana tjetër, ekziston edhe një përfitim i fshehur brenda metodës ushtarake, dhe ky është fakti që është një metodë. Studimet kanë treguar se pasja e një rutine, është një nga mënyrat më të mira për të përmirësuar zakonet tuaja të gjumit. Mund të jetë leximi para se të flini, bërja e një dushi, apo e ndonjë ushtrim të lehtë.

Çështja është se vetë rutina është e rëndësishme. Prandaj përdoreni metodën ushtarake, por mos prisni rezultate të menjëhershme. Mund të duhen nga 2-6 javë për t’u bërë ekspert, njëkohë e mjaftueshme për t’u shndërruar në një rutinë. / Big Think – Bota.al


Shtuar 8.07.2023 11:57