Kosova, Mali i Zi dhe entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, kanë mbetur jashtë granteve që Bashkimi Evropian ka miratuar për projektet në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor.
Nga këto investime përfituan Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, përkatësisht Federata boshnjako-kroate.
Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Vlera e përgjithshme e kornizës është 2.1 miliardë euro.
Kosova nuk ka përfituar nga grantet e bllokut evropian, pasi BE-ja në fund të qershorit vendosi masa ndëshkuese ndaj Prishtinës, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të Brukselit për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Në mesin e masave ndëshkuese është edhe pezullimi i të gjitha programeve financiare të BE-së.
Në shkurt të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte thënë se kishte aplikuar edhe për dy grante investuese dhe katër grante të asistencës teknike në Kornizën Investuese, por nuk kishte specifikuar më shumë në lidhje me to.
Kosova ka përfituar nga ky mekanizëm që nga viti 2009. Deri më 2021, kjo kornizë ka mbështetur 30 projekte në Kosovë në vlerë prej 1.8 miliard eurosh.
Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.
Për vitet 2023-2030, në kuadër të këtij mekanizimi, në Kosovë janë paraparë edhe projekte të tjera, si: Autostrada e Paqes Prishtinë – Nish, rruga hekurudhore Beograd – Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën, impianti për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën e të tjera.
Mali i Zi me projekte “të papërshtatshme”
As Mali i Zi nuk ka përfituar grantet e bllokut, pasi projektet e paraqitura nga Podgorica, nga Komisioni Evropian janë parë si “parakohshme dhe të papërshtatshme”.
“Mali i Zi ka paraqitur projekte investimi në fushën e energjisë, mjedisit dhe transportit që janë vlerësuar nga Korniza për Investime në Ballkanin Perëndimor si të parakohshme për financim ose të papërshtatshme për financim”, konfirmoi zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për mediat.
Ajo shtoi se shpreson që Podgorica të vazhdojë me përgatitjen dhe maturimin e këtyre propozimeve për investime për paraqitjen e serishme të tyre në thirrjet e reja në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor.
Pisonero konfirmoi gjithashtu se Mali i Zi përfiton nga tri projekte të asistencës teknike, në vlerë prej 3.5 milionë eurosh, në kuadër të kësaj thirrjeje për përgatitjen e investimeve në sektorët e transportit dhe energjisë.
Më 30 qershor, KE-ja kishte njoftuar për miratimin e 14 projekteve kryesore investuese në fushën e transportit, energjisë, mjedisit, kapitalit njerëzor dhe mbështetjes për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor.
Entiteti serb s’përfiton asnjë grant
Grante në vlerë prej 303 milionë eurosh janë miratuar edhe për projektet infrastrukturore në Bosnje e Hercegovinë. Por, të gjitha grantet do të përqendrohen në Federatën boshnjake-kroate dhe jo në entitetin e Republikës Sërpska.
Grantet, pjesë e paketës së investimeve prej 2.1 miliardë dollarësh të BE-së për Ballkanin Perëndimor, do të ndihmojnë disa projekte, përfshirë ndërtimin e dy seksioneve të autostradës panevropiane që lidh Budapestin me portin kroat të Plloçes.
Projektet e tjera në Bosnje, që do të mbështeten nga këto grante, kanë të bëjnë me përmirësimin e furnizimit me ujë në Sarajevë dhe rehabilitimin e një pompe depozituese në një hidrocentral në jug të shtetit.
Bashkimi Evropian e kishte paralajmëruar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, që të ndalë retorikën secensioniste dhe lëvizjet që minojnë shtetin e Bosnjës.
Delegacioni i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se pse nuk janë mbështetur projektet në Republikën Sërpska.
Fondet e miratuara janë mbi gjysma e 528 milionë eurove që janë miratuar për rajonin në formë të granteve nga Instrumentet e Para-Anëtarësimit (IPA), së bashku me disa kontribute të shteteve të bllokut dhe Norvegjisë, por edhe kreditë nga institucionet ndërkombëtare financiare./rel