Gjon Muharremaj, i njohur me emrin e artit Gjon’s Tears, u shpall si artisti më i votuar nga juria në Eurovizion 2021, ndonëse llogaritja e 50% të votave të publikut e renditën në vendin e tretë këngën e tij “Tout l’Univers”. Gjoni ka qenë gjithmonë i lidhur me Shqipërinë dhe nuk do të ishte aspak çudi që të përfaqësonte vendin tonë. Ç’ndodhi?
Pas suksesit të tij në Eurovizion, u bë virale nëpër rrjete sociale një intervistë e Gjonit, ku thotë se si arriti të përfaqësonte Zvicrën. Kujtojmë se ai ka lindur në Zvicër, nga dy prindër me origjinë shqiptare, babai nga Kosova, ndërsa nëna nga Tirana. 10 vite më parë, mori pjesë në Albania’s Got Talent dhe në shkurt të 2019-s ishte pjesëmarrës në The Voice of France. Në një intervistë për “Fol shqip show” në mars të këtij viti, ai thotë:
“Unë aplikova në Zvicër me artistët e Zvicrës, por një javë para aplikimit të këngës më ka thirrur Alketa Vejsiu dhe më ka ftuar që të shkoj atje [Festivali i Këngës] dhe të përgatisja një këngë. Faktikisht kisha aplikuar për Zvicrën dhe u telefonova [organizatorëve] dhe u thashë që ‘a jeni të sigurt që do më merrni mua, sepse është dhe Shqipëria…’ dhe më kanë thënë, ‘shko edhe te Shqipëria që do, ne duam që ti të shkosh sa më larg, qoftë me ne qoftë me Shqipërinë’.”
Zvicra nuk zhvillon festival për të zgjedhur këngën në Eurovizion, por vendos një bord drejtues. Në mars të vitit 2020, ai u zgjodh të përfaqësonte Zvicrën me këngën “Répondez-moi”. Por në dhjetor, mund të ishte në “Festivalin e Këngës”.“Më ka thënë produksioni i Shqipërisë që nuk kishin më vend për ta bërë festivalin. Më kanë telefonuar dhe më kanë thënë përgatit një këngë për të enjten, kisha vetëm katër ditë për ta kompozuar. Prandaj i thashë edhe Zvicrës që a mund ta marrin ata dhe këngën time, sepse nuk kam si shkoj pa këngë. U thashë nëse mund të aplikoja me këtë këngë [“Répondez-moi”] dhe më thanë “po”. Të enjten më kanë thënë që ‘i kemi 25 artistë dhe duhet që Festivali i Këngës vetëm me 20’.”
Gjoni i referohet kohës kur “Festivali i Këngës” u drejtua nga dyshja Grabocka-Vejsiu. E kontaktuar nga Anabel.al, Alketa Vejsiu u shpreh:
“Gjoni ka qenë jashtë date atëherë për pranimet, mesa mbaj mend. Unë doja shumë që Gjon të ishte pjesë. Mendoj që është një talent absolut. I kam propozuar të jetë i ftuar si “zërat e të ardhmes”. Ishin bërë zgjedhjet e artistëve dhe ishte jashtë kohe ardhja e këngës dhe për më tepër në frëngjisht. E kam kontaktuar personalisht sepse e konsideroj një talent me një zë dhe stil unik, por ishim jashtë kohe. Procedurat e RTSH-së janë pak rigoroze; kjo nuk vë në diskutim talentin e këtij artisti, të cilit uroj t’ja dëgjoj zërin sa më lart. Nëse do ta ribëja Festivalin, do ta ftoja me kënaqësi.”
Për shkak të anulimit të Eurovizion 2020, ku Shqipëria do të përfaqësohej nga Arilena Ara me “Shaj”, Gjon’s Tears u zgjodh sërish si përfaqësues i Zvicrës në vitin 2021, këtë herë me një këngë tjetër sepse rregullat e Eurovizion e ndaluan pjesëmarrjen me të njëjtën këngë.