Facebook dhe Instagram do të kufizojnë aksesin e lajmeve në Kanada

Meta ka thënë se do të fillojë të kufizojë lajmet në platformat e saj për konsumatorët kanadezë pasi parlamenti miratoi një projekt-ligj të diskutueshëm të lajmeve në internet.

Projektligji detyron platformat e mëdha të kompensojnë botuesit e lajmeve për përmbajtjen e postuar në faqet e tyre.

Meta dhe Google tashmë kanë testuar kufizimin e aksesit në lajme për disa kanadezë, shkruan BBC. 

Në vitin 2021, përdoruesit australianë u bllokuan nga shkëmbimi ose shikimi i lajmeve në Facebook në përgjigje të një ligji të ngjashëm.

Akti i Lajmeve Online i Kanadasë, parashtron rregulla që u kërkojnë platformave si Meta dhe Google të negociojnë marrëveshje tregtare dhe të paguajnë organizatat e lajmeve për përmbajtjen e tyre.

Meta e ka quajtur ligjin “legjislacion me të meta që injoron realitetin se si funksionojnë platformat tona”.

Të enjten, ajo tha se disponueshmëria e lajmeve do të përfundojë në Facebook dhe Instagram për të gjithë përdoruesit në Kanada, përpara se ligji të hyjë në fuqi.

“Një kuadër legjislativ që na detyron të paguajmë për lidhjet ose përmbajtjet që ne nuk i postojmë dhe që nuk janë arsyeja pse shumica dërrmuese e njerëzve përdorin platformat tona, nuk është as i qëndrueshëm dhe as i zbatueshëm”, tha një zëdhënës i Meta për Reuters.

Kompania tha se ndryshimet në lajme nuk do të kenë ndikim në shërbimet e tjera për përdoruesit kanadezë.

Google e quajti projektligjin “të papërshtatshëm” në formën e tij aktuale dhe tha se po kërkonte të punonte me qeverinë për të gjetur një “rrugë përpara”.

Qeveria federale thotë se ligji i lajmeve në internet është i nevojshëm “për të rritur drejtësinë në tregun kanadez të lajmeve dixhitale” dhe për të lejuar organizatat e lajmeve në vështirësi të “sigurojnë kompensim të drejtë” për lajmet dhe lidhjet e shpërndara në platforma.

Një analizë e projekt-ligjit nga një mbikëqyrës i pavarur i buxhetit të parlamentit vlerësoi se bizneset e lajmeve mund të marrin rreth 329 milion dollarë kanadezë (250 milion dollarë; 196 milion £) në vit nga platformat dixhitale.

Në fillim të këtij muaji, ministri kanadez i trashëgimisë, Pablo Rodriguez i tha Reuters se testet që po kryhen nga platformat e teknologjisë janë “të papranueshme” dhe një “kërcënim”.

Në Australi, Facebook rivendosi përmbajtjen e lajmeve për përdoruesit e tij pasi bisedimet me qeverinë çuan në ndryshime.

Të enjten, zyra e Rodriguez tha se ai kishte takuar Google dhe Facebook këtë javë dhe kishte planifikuar diskutime të mëtejshme, por qeveria do të ecë përpara me zbatimin e projektligjit.

“Nëse qeveria nuk mund të ngrihet për kanadezët kundër gjigantëve të teknologjisë, kush do ta bëjë?” tha ai në një deklaratë.

Grupet e industrisë së medias përshëndetën miratimin e projektligjit si një hap drejt drejtësisë së tregut.

“Gazetaria e vërtetë, e krijuar nga gazetarë të vërtetë, vazhdon të kërkohet nga kanadezët dhe është jetike për demokracinë tonë, por kushton para të vërteta,” tha Paul Deegan, president dhe shef ekzekutiv i News Media Canada, një grup i industrisë mediatike, në nje deklaratë.

Ligji i Lajmeve Online pritet të hyjë në fuqi në Kanada pas gjashtë muajsh./Albeu.com/


Shtuar 23.06.2023 08:02