Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, nuk e ka të qartë vendin ku tre policët e Kosovës kanë qenë në momentin e rrëmbimit nga forcat serbe.
“Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”, thuhet në komunikatën e KFOR-it, dërguar mediave.
Institucionet e Kosovës kanë deklaruar se policët janë rëmbyer në territorin e Kosovës, ndërkohë që pala serbe thotë që ata kanë qenë në territorin e tyre, ku edhe janë arrestuar.
KFOR-i u bëri thirrje të dyja palëve që t’i respektojnë marrëveshjet dhe procedurat e bashkëpunimit me këtë mision, si dhe të përmbahen nga “retorika provokuese”.
“Ua rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës – përfshirë policinë kufitare – dhe KFOR-it”, thuhet po ashtu në komunikatën e misionit paqeruajtës.
Ndër të tjera KFOR-i kërkoi nga Kosova dhe Serbia që “të shmangin çdo veprim të njëanshëm, që mund t’i përshkallëzojë tensionet në zonë”.
“KFOR-i i mirëpret të gjitha përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thekson misioni i NATO-s.
Ndrkohë, autoritetet e Kosovës kanë shprehur shqetësimin për kushtet çnjerëzore në të cilat po mbahen policët, teksa gjykata i la në paraburgim.
Kryeministri Albin Kurti dhe një sërë aktorësh ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për lirimin e tyre.