SHBA tjetër paketë ndihme për Ukrainën, 325 milionë dollarë për mbrojtjen ajrore

Uashingtoni njoftoi sot një ndihmë ushtarake shtesë prej 325 milionë dollarësh për Ukrainën, që synon kryesisht forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës kundër forcave ruse.

Sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit, ndihma e re është kryesisht për pajisjet e mbrojtjes ajrore, municionet e artilerisë, armët antitank dhe automjetet e blinduara.

SHBA-ja është vendi që e ka forcuar ushtarakisht Ukrainën më shumë se çdo tjetër në botë, pasi ka dorëzuar ose është zotuar të japë më shumë se 39.7 miliardë dollarë sisteme armësh që nga fillimi i pushtimit rus.

Kjo paketë e re ndihme vjen pasi Kievi ka nisur një kundërofensivë kundër forcave ruse në Ukrainën jugore dhe lindore, duke synuar të çlirojë territorin e kontrolluar nga Rusia.

Uashingtoni kishte njoftuar tashmë të premten një paketë ndihme ushtarake prej rreth 2 miliardë dollarësh, kryesisht për pajisjet e mbrojtjes ajrore.


Shtuar 13.06.2023 19:06