Bardhi: Vendimi për të zgjedhur kryetarin në 29 korrik është antistatutor

Gazment Bardhi shpjegoi se përse vendimi i miratuar nga Kryesia për zgjedhjen brenda 29 korrikut të kryetarit të ri është antistatutor dhe nuk mund të zbatohet.

Sipas Gazment Bardhit, ngërçi i parë qëndron në faktin se anëtarësinë me të drejtë vote për kryetarin e partisë e cakton një grup pune i ngritur një ngritur nga kreu i degës. Ai argumenton në A2 se aktualisht në 71 degë që ka PD në mbarë vendin, vetëm 29 prej tyre kanë kryetar të zgjedhur, teksa të tjerat vetëm pika kontakti.

Pika e dytë në shkelje të statutit për Bardhin është edhe Komisioni Zgjedhor që do të organizojë procesin, pasi pjesa më e madhe e tij përmban emra që kanë kaluar në anën e Berishës. Për të ndryshuar komisionin, sipas sekretarit të përgjithshëm, duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar, të cilin në fakt e thërret kryetari i partisë.

“Organizimi i një procesi zgjedhor për kryetarin e partisë, në procedurën që është miratuar nga Kryesia e Partisë, bie ndesh me statutin e Partisë Demokratike. Nëse do të ishte e mundur nga pikëpamja statutore nuk kam asnjë kundërshtim. Por që unë të organizoj një proces jo transparent dhe që çon në ndarje tjetër të partisë, nuk ka për të qenë qëndrimi i sekretarit të përgjithshëm të PD.

Së pari certifikimi i anëtarësisë sipas vendimit që ka marrë kryesia duhet të bëhet nga kryetari i degës dhe grupi i punës që ngre ai. Pra kryetari i një dege cakton dy ose 3 bashkëpunëtorë të cilët përcaktojnë nëse një anëtar e gëzon të drejtën e votës apo jo.

Së pari është një proces antistatutor sepse kush e gëzon të drejtën e votës e përcakton statuti i partisë dhe nëse një anëtar ka ndryshuar parti, pra që është dhe pretendimi që në këto momente ka lëvizje anëtarësie brenda PD, janë kryesitë e degëve ato që mblidhen për të marrë masa disiplinore. Ky nuk mund të jetë vullnet subjekti i një individi.

Në 71 degë të PD vetëm 29 prej tyre kanë kryetar të zgjedhur, 5 kanë kryetar të komanduar dhe pjesa tjetër ka pika kontakti të organizimit të partisë për fushatën dhe nuk mund të ushtrojnë detyrën e kryetarit të degës.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me komisionin zgjedhor. Nëse ne ecim me komisionin që është në fuqi mund të shohim që pjesa më e madhe e tyre janë larguar nga Partia Demokratike zyrtare dhe janë rreshtuar krah Berishës. Nëse zbatohet sot statuti zgjedhjet do t’i menaxhojë një komision që kontrollohet nga Berisha. Përpara këtyre rrethanave procesi do të binde ndesh me statutin”, tha Gazment Bardhi.


Shtuar 7.06.2023 21:32