Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ka publikuar të premten bilancin e deritashëm të sulmeve gjatë protestave të dhunshme të ditëve të fundit, të organizuara në veri të Kosovës.
Sipas ministrisë, deri tani janë regjistruar 21 sulme ndaj mediave dhe gazetarëve, gjashtë zyrtarë të Policisë së Kosovës janë lënduar e 30 ushtarë të KFOR-it po ashtu, tre prej të cilëve nga arma e zjarrit.
Po ashtu, në njoftim thuhet se dy qytetarë janë rrahur brutalisht, janë djegur tërësisht dy vetura të Policisë së Kosovës si dhe janë dëmtuar shtatë të tjera të po këtij institucioni.
“Dhuna dhe terrori i ushtruar nga milicia fashiste ka prodhuar numra të konsiderueshëm të akteve kriminale. Kaosi që kanë tentuar të krijojnë bandat kriminale të dirigjuara dhe orkestruara nga Beogradi, kanë shkaktuar lëndime në njerëz, dëme materiale dhe tentim ndalimin e shprehjes së lirë e raportimit nga mediat”, thuhet në njoftimin për media.
Sipas MPB-së, nxitja e konflikteve dhe ndëretnike nga individë kriminal, ka qenë synim tjetër i tyre, “i cili do të dështojë”.
“Këto numra dëshmojnë që protestat nuk kanë qenë paqësore. Protestat nuk kanë qenë të qytetarëve. Protestat janë të milicisë fashiste”, thuhet mes tjerash./express