Koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” nga sheshi “Nënë Tereza” në kryeqytet mbylli fushatën elektorale të 14 Majit.
Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi në fjalën e tij u zotua se premtimet e tij do të bëhen realitet pasi qytetarët të bëjnë ndryshimin me votë ditën e diel.
Ai u shpreh është i vetëdijshëm për nevojën e ndryshimit në Tiranë dhe mbështetjen e qytetarëve.
Këlliçi listoi disa nga premtimet e tij duke thënë se do i bëjë realitet ato pas zgjedhjeve të 14 Majit, nga urbani falas e deri te ndërtimi i nënkalimit të sheshit Skënderbej.
“Ju jeni vipat e mi. Qytetarët e Tiranës, të rinj e të reja, pensionistët, studentët. Ku janë naçut e Tiranës, ata që si unë jemi rritur në Tiranë në familje normale, jemi rritur nga prindër normal, kërkojmë një qytet mund të na strehojë dhe mund të na japë shpresë.
I vetëdijshëm jam për nevojën e ndryshimit në Tiranë, për mbështetjen e qytetarëve të Tiranës, forcën e Partisë Demokratike. Sot kam një falënderim për familjen time politike që quhet Partia Demokratike. Flanderoj kandidatët që garuan me mua në primare. Sot jemi sërish bashkë kundër Erion Veliajt. Falenderoj të gjithë demokratët dhe ata të mërzitur që nuk e kanë gjetur veten për momentin dhe çdo ditë komunikojnë më mua.
Beteja kundër Erion Veliajt është një arsye e madhe për të bashkuar votat ditën e dielë. Autobusin falas dhe nënkalimin te sheshi Skenderbej do i bëj realitet pas 14 Majit”, u shpreh ai./Albeu.com.