Autori i dyshuar i masakrës me 8 të vrarë dhe 13 të plagosur në Serbi është arrestuar.
Së paku tetë persona u vranë dhe më shumë se dhjetë të tjerë u plagosën nga të shtënat masive që ndodhën në disa fshatra të Mlladenovcit, në territorin e qytetit të Beogradit.
RTS raporton se të shtënat ndodhën në fshatrat Dubona, Mallo Orashje dhe Shepshin.
Sipas disa mediave lokale, sulmuesi, 21 vjeç, qëlloi mbi njerëz me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona.
Tre nga të plagosurit iu nënshtruan trajtimit urgjent mjekësor në një spital lokal.
Instituti për Transfuzion të Gjakut në Serbi tha se Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, e cilësoi incidentin si “akt terrorist”.
Këto janë të shtënat e dyta masive që ndodhën në Serbi këtë javë.
Të mërkurën, një djalë 13 vjeç dyshohet se vrau tetë nxënës dhe një rojë të sigurisë në një shkollë në qendër të Beogradit.
Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq, shkroi në reagimin e saj në Twitter se “është tronditur nga të shtënat e tjera masive në Serbi”.
“Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe autoritetet në Serbi”, tha ajo.
Serbia, aktualisht, është në ditë zie për viktimat e sulmit në shkollë.
Qeveria serbe tha të enjten se ka marrë vendim që të bëjë një rishikim të gjerë të lejeve ekzistuese për armët private.
Të shtënat masive janë relativisht të rralla në Serbi, por zotërimi i armëve në vend është ndër më të lartit në Evropë./Albeu.com/