Zhdukja e dy personave në Sarandë, polumbarët e RENEA-s nisin kërkimet në det

Janë bërë 19 ditë që nga zhdukja e Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit në Sarandë dhe fati i tyre mbetet ende mister.

Mësohet se pas kërkimeve në mal në fshatin Vrinë, ku nuk u gjet asnjë gjurmë e tyre, polumbarët e RENEA-s po kërkojnë në det.

Për zhdukjen misterioze, motivi kryesor mendohet të jetë shit-blerja e një toke, por nuk përjashtohet as pista për të kaluarën e tyre, pasi të dy janë persona me precedentë për çështje narkotikësh.

Burimet policore tregohen shumë të rezervuara në dhënien e informacioneve, megjithatë është mësuar se personat e shoqëruar prej 48 orësh janë me precedentë penalë, disa madje edhe të arrestuar dy vitet e fundit nga policia e Sarandës për vepra të rënda por të liruar më pas nga Gjykata e këtij qyteti.

Ende nuk ka informacion nëse ndaj tyre ka ndonjë masë arresti.

Autorët e dyshuar janë kujdesur të fshehin provat mirë, pasi një prej 8 automjeteve të sekuestruara për verifikim, rezulton që ka pasur disqet e gomave të lyera për kamuflim.

Mungesa e provave konkrete, por kryesisht e trupave, mendohet se është arsyeja pse policia nuk po e konkludon operacionin me arreste. Megjithatë, para Komisariatit të Sarandës është vënë re në orët e para të mëngjesit një sasi e konsiderueshme efektivësh e automjetesh, ndoshta për te rinisur operacionin qe prej disa ditësh po zhvillohet në bashkëpunim me Forcat Operacionale të Vlorës.

Ndërkohë në një magazinë në afërsi te fshatit Nivicë të Bashkisë, Himarë është gjetur i fshehur një automjet tip “Mercedes-Benz” që mendohet se është mjeti me të cilin janë rrëmbyer Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari. Paraprakisht mendohet se dy të zhdukurit i kanë njohur rrëmbyesit, pasi në disa pamje filmike të lëvizjes së mjetit te tyre, dallohet Fatmir Sulovari teksa ndodhet i ulur në sediljen e parë duke mbajtur dorën në tavan.

Nga pamjet filmike është e vështirë te dallohet shoferi dhe pasagjerët pas, por dihet që targat e mjetit janë greke të vjedhura në Lezhë.

Kush janë të zhdukurit?

Leonard Theodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”. I dënuar disa here. I dyshuar si pjesëmarrës në masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i perfshirë në trafik lëndësh narkotike.

Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 ne Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMW” X5 u gjet një sasi kanabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.

 


Shtuar 25.04.2023 11:29