“Dhunë në familje”, policia shkon në adresën e gabuar, vret 52-vjeçarin

Një burrë i pafajshëm u vra nga oficerët e policisë në New Mexico, pasi iu përgjigjën një telefonatë për dhunë në familje, duke ngatërruar adresën.

Siç raporton CNN, viktima është 52-vjeçari Robert Dotson. Agjentët, të cilët mbërritën rreth orës 23:30 para shtëpisë, trokitën por askush nuk u përgjigj.

Në atë moment ata i kërkuan stacionit të policisë që të telefononte personin që kishte raportuar për dhunë. Por në të njëjtën kohë një burrë i armatosur me pistoletë hapi derën dhe një oficer qëlloi duke e vrarë atë në çast.

Nuk dihet nëse 52-vjeçari qëlloi i pari. Gruaja e Dotson, sipas policisë, ishte gjithashtu e armatosur dhe ajo qëlloi me armë zjarri, por kur kuptoi se ishin oficerë, hoqi dorë.

Gruaja nuk është lënduar.

“Jam zemërthyer. Është një fund tepër tragjik. Më vjen shumë keq që gjendemi në këtë pozicion,” tha shefi i policisë së Farmington, Steve Hebbe./Albeu.com/


Shtuar 8.04.2023 13:21