Banka e dytë më e madhe ruse VTB, një nga bankat e para që u përjashtua nga sistemi global i pagesave SËIFT për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska, raportoi të mërkurën një humbje prej 612.6 miliardë rubla (7.7 miliardë dollarë) për vitin 2022.
“Në vitin 2022, grupi VTB u përball me vështirësi dhe sfida të paprecedentë. Ne ishim objektivi i parë për sanksionet maksimale të mundshme, të cilat çuan në humbje të konsiderueshme,” tha në një deklaratë shefi financiar i bankës Dmitry Pianov.
CEO Andrei Kostin ka fajësuar për humbjet e bankës sanksionet perëndimore kundër sektorit financiar të Rusisë. VTB, shumë e ekspozuar ndaj tregjeve ndërkombëtare dhe me më shumë se 20% të portofolit të saj të kredisë në valuta të huaja, u godit veçanërisht rëndë në fazat e hershme të konfliktit në Ukrainë.
Rezultatet e së mërkurës, të publikuara sipas standardeve ndërkombëtare të raportimit për herë të parë në më shumë se një vit, zbulojnë humbje të mëdha në operacionet e këmbimit valutor dhe metaleve të çmuara./Albeu.com/