Ohri, qyteti i pasur me shtëpi dhe monumente piktoreske u bë dje nikoqir i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, të cilët nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian dhe me intervenimin e Shteteve të Bashkuara arritën një marrëveshje të panënshkruar për zbatimin e propozimit europian, për të cilin ishin pajtuar në takimin e 27 shkurtit.
Gazetarë jo vetëm nga Kosova dhe Shqipëria, por edhe nga rajoni e bota ishin dje në Maqedoninë e Veriut për ta përcjellur këtë ngjarje. Mediat e mëdha botërore si agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, agjencia amerikane e lajmeve, Associated Press, e gazeta e njohur amerikane, Washington Post, kanë raportuar për takimin dhe marrëveshjen e arritur. Ato theksojnë rrugën e dy vendeve drejt BE-së, zotimin e Brukselit për organizimin e një konference donatore për investime, si dhe mundësinë që Kosova të aspirojë për t’u anëtarësuar në OKB, shkruan Gazeta Express.
“Serbia dhe Kosova arrijnë marrëveshje për zbatimin e marrëveshjes së mbështetur nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”, është titulli i Reuters, që shpjegon se të dyja vendet janë në bisedime për gati 10 vjet.
Pasi raportohet për deklaratat e liderëve pas takimit, agjencia e lajmeve shkruan se në aneksin për zbatimin e marrëveshjes të publikuar të shtunën në mbrëmje, BE-ja u zotua që brenda 150 ditëve të organizojë një konferencë donatore për të krijuar një paketë ndihme investimesh dhe financiare për Kosovën dhe Serbinë.
Associated Press, ndërkaq, e titulloi kështu: “Serbia dhe Kosova bien dakord se si ta zbatojnë planin e BE-së, thotë i dërguari”.
Duke treguar se si Kurti dhe Vuçiq u pajtuan muajin e kaluar për propozimin 11-pikësh të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, AP shkruan se tani të dyja vendet shpresojnë të anëtarësohen në BE.
Të dy vendet shpresojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian një ditë dhe atyre u është thënë se fillimisht duhet t’i përmirësojnë marrëdhëniet e tyre. Zgjidhja e mosmarrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës është bërë më e rëndësishme teksa lufta në Ukrainë është ndezur dhe frika rritet se Rusia mund të përpiqet të nxisë destabilitetin në Ballkanin e paqëndrueshëm, ku ajo ka ndikim historik, shkruan AP
Më tej shpjegohet se “plani i BE-së kërkon që të dy vendet të mbajnë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe t’i njohin dokumentet zyrtare dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës”.
Nëse zbatohet, do ta parandalonte Beogradin që t’i bllokonte përpjekjet e Kosovës për të kërkuar anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare, shkruan AP, duke theksuar se marrëveshja e hartuar nga Franca dhe Gjermania dhe e mbështetur nga SHBA-ja, nuk kërkon në mënyrë eksplicite njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Duke e cituar Associated Press, për marrëveshjen raportoi edhe Washington Post.