Banka Botërore ka njoftuar 2.5 miliardë dollarë financim shtesë grantesh për Ukrainën, në mënyrë që vendi të sigurojë shërbimet thelbësore për qytetarët.
Fondet do të shkojnë për mbështetjen e sektorëve kryesorë të Ukrainës, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, shkollat, pagesat e pensioneve, pagesat për personat e zhvendosur brenda vendit, programet e ndihmës sociale dhe pagat për punonjësit që ofrojnë shërbimet kryesore të qeverisë, thuhet në një deklaratë nga Banka Botëror , shkruan The Guardian.
“Një vit pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, bota vazhdon të jetë dëshmitare e shkatërrimit të tmerrshëm që i është shkaktuar vendit dhe popullit të tij. Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin e Ukrainës përmes projekteve urgjente riparimi dhe koordinimit me qeverinë për përpjekjet e rimëkëmbjes dhe rindërtimit”, tha presidenti i grupit të Bankës Botërore, David Malpass./albeu.com/