Hedhja në erë me tritol e hotelit në Sarandë, gazetarja: Eksplozivi te kolonat dyshohet se është vendosur nga ekspertë

Një shpërthim me tritol tronditi Sarandën mëngjesit e djeshëm, 13 shkurt.

Hotel “Bizanti” u hodh në erë me tritol, ndërsa policia arrestoi sot Sotir Çabirin, 36-vjeç si autor të dyshuar të ngjarjes.

Gazetarja Klodiana Lala u shpreh në emisionin “Open” se për vendosjen e eksplozivit autoritetet dyshojnë se kanë vepruar ekspertë.

Klodiana Lala: Në vendin tonë shumë ngjarje kriminale, duket se ngjarje të tilla kanë kaluar pa vëmendje. Por është një ngjarje në kufijtë e aktit terrorist, duhet të jemi mirënjohës që nuk ka viktima, sidomos me atë sasi tritoli që është përdorur. Mendoj që policia e Vlorës duhet të shkojë më tej për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Përse dyshohet Sotir Çabiri. Rezulton që sasia minimale ka qenë 50 kg jo aq sa është thënë në fillim. Në të gjitha kolonat e katit të parë janë vendosur 50 kg tritol. Sotir Çabiri dyshohet se është një nga autorët sepse në javët e fundit ka qëndruar vetëm në hotel dhe i ka thënë pastruese se nuk ka përse të qëndrojë në punë sepse nuk ka njerëz duke e përzënë në këtë mënyrë. Një ditë para ngjarjes ka prerë tri bileta drejt Britanisë së Madhe.

Diku rreth orës 5 të mëngjesit ai ka dalë dhe ka nxjerrë nga atje disa sende, përfshirë edhe një tv të shtrenjtë, është rikthyer sërish dhe në vetë, dy minuta përpara se të ndodhte shpërthimi ai është larguar nga hoteli. Kanë qenë ekspertë personat që kanë vendosur eksplozivin, kjo është arsyeja përse dyshohet se është edhe një tjetër person. Ka punuar në mënyrë të tillë si të ishte ekspert. Në pjesën pas dyshohet që në atë mënyrë të kenë hyrë edhe bashkëpunëtorë. Deri në afërsi të Portit ka pasur dëmtime të fasadave të hoteleve dhe ka qenë një fat i madh që nuk ka pasur njerëz duke lëvizur.

Arrestimi i Çabirit

Nga kamerat e sigurisë Çabiri është parë të dalë nga hoteli 3 minuta para shpërthimi, që dyshohet se ka ardhur si pasojë e konfliktit për pronësinë e objektit 700 metër katrorë.

Edhe pse është filmuar nga kamerat, ai ka mohuar akuzat, duke thënë se ishte kthyer në hotel për të marrë diçka, jo për ta shpërthyer.

“Nuk kam lidhje me shpërthimin. Unë u ktheva në hotel se kisha harruar diçka dhe do iknim jashtë Shqipërisë”, ka thënë 36-vjeçari.

Ndërkohë sipas policisë, tritoli ishte vendosur në 5 pika në ndërtesë, çka tregon vendosmërinë e autorit për ta rrëzuar objektin totalisht.

/Albeu.com/


Shtuar 14.02.2023 21:44