Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski derisa komentoi vendimin e Lidhjes Demokratike (LD) të Pavle Trajanovit që të braktisë shumicën parlamentare, deklaroi se ky vendim nuk do të dobësoj aspak shumicë parlamentare.
Sipas Kovaçevskit LD-ja gjithmonë është shprehur pro integrimit të vendit, por se këtë e ka bërë këtë vetëm në mënyrë deklarative, jo dhe në praktikë.
“Vendimi i Lidhjes demokratike, nuk do të ndikoj në punën e shumicës, ju e patë që gjatë ditës së djeshme u miratuan shumë ligje të rëndësishme. Më gëzon se LD-ja mbetet në rrugën evropiane, gjë që nuk u vërejt në praktik, por ishte vetëm mbështetje deklarative. Besoj që funksionarët e kësaj partie gjatë ditës së sotme të deponojnë dorëheqjet e tyre. Ne si Qeveri mbetemi të hapur për të gjithë. Rikonstruimin që dorëzova nuk është udhëhequr nga motive personale apo kadrovike, por që shteti të ketë një shumicë të qëndrueshme, të miratohen ligjet ekonomike dhe gjyqësore, të realizohen reformat, të mos lejohet bllokadë nga opozita. Konsideroj se të gjithë partnerët qeveritar janë për punë efikase të Kuvendit, ndërsa Aleanca për Shqiptarët do ta forcojë shumicën”, deklaroi Kovaçevski./alsat