Berisha para protestës thirrje qytetarëve: Mblidhuni në protestë para Kuvendit, të revoltohemi kundër dhunimit

Vetëm një orë para nisjes së seancës plenare të Kuvendit dhe njëkohësisht të protestës së paralajmëruar nga opozita, Sali Berisha në një deklaratë nga selia blu, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në atë që ai e quajti revoltë.

Kreu i demokratëve theksoi se kjo protestë shënon vazhdimin e revolucionit demokratik, i cili ka për qëllim madhor ngritjen e zërit, revoltën kundër dhunimit.

Sipas tij, deputetët e opozitës trajtohen në parlament me praktika staliniste pasi u mohohet e drejta e fjalës dhe nuk lejohen të formojnë komisionet hetimore.

Berisha: Kjo protestë që shënon vazhdimin e revolucionit demokratik, ka për qëllim madhor ngritjen e zërit, revoltën kundër dhunimit.   750 mijë zgjedhës shqiptarë me datën 25 prill votuan partitë opozitare. Përfaqësuesit e 750 mijë qytetarëve, trajtohen në parlamentin shqiptar me praktika absolutisht staliniste. Përfaqësuesit e këtyre qytetarëve që kanë detyrë themelore mbrojtjen e interesave të tyre, u mohohet e drejta e fjalësa dhe nuk lejohen të formojnë komisionet hetimore parlamentare si një institucion themelor për të bërë transparencë. Super skandali Rama-McGonigal, ka tronditur opinionin publik në SHBA, në Europë dhe Shqipëri.

Ai u ndal te skandali McGonigal dhe tha se pasojat e këtij korruptimi janë të shumëfishta. Ai shtoi me dije se Kongresi i SHBA-ve po heton dhe kanë besim, por është detyrë emergjente e parlamentit shqiptar të hetojë dosjen e Tiranës në këtë superskandal.

Berisha: Në këtë superskandal, dosja shqiptare është e një rëndësie të jashtëzakonshme për zbardhjen e të vërtetave rreth këtij skandali, Kjo dosje është historiku i kuptimit të kryezbuluesit të FBI-së, pagesës së tij si vrasës për shkatërrimin e opozitës shqiptare. Pasojat, e këtij korruptimi, janë të shumëfishta. Kongresi i SHBA-ve po heton dhe ne kemi besim në hetimin e tij. Por është detyrë emergjente e parlamentit shqiptar të hetojë dosjen e Tiranës në këtë superskandal. Parlamenti nuk mund të ketë asnjë agjendë tjetër veçse hetimin e skandalit Rama-McGonigal. Qytetarë, zëri juaj dhe prania juaj ka një rëndësi vendimtare për demokracinë në Shqipëri që sot është shndërruar në fiktivitet. Por duhet që secili të rezistojë, të bashkohen me forcat e tyre për t’i dhënë përgjigjien e merituar këtij regjimi.

Ai ironizioi edhe videon e postuar nga kryeministri Edi Rama në facebook, ditën e protestës së 11 shkurtit, duke thënë se ishte një video e regjistruar kohë më parë.

Berisha: Ata që u strukën në vrimën e miut, në datën 11 shkurt, që postuan video të regjistruara kohë më parë, tani dalin nga vrima e miut dhe tallen me qytetarët. Tallen me protestën e tyre të jashtëzakonshme, ky është morali i tyre dhe karatkeri i tyre. Sot në orën 17:00 iu ftoj të gjithëve para parlamentit të dëgjohet zëri juaj, në sallë dhe jashtë saj./Albeu.com/

 


Shtuar 13.02.2023 16:21