Një 39- vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohet se furnizonte dyqane të ndryshme me pako me kafe, të dyshuara të kontrabanduara dhe fshihte të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet.
Blutë bëjnë me dije se në kuadër të operacionit policor të koduar “Espresso” është ndaluar në Unazë të Madhe, automjeti me drejtues shtetasin A. M.
Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 400 kg kafe të dyshuar të kontrabanduar, të ndarë në pako, me të cilat ky shtetas furnizonte disa dyqane, në zona të ndryshme të Tiranës. Sasia e kafesë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 7 pajisje që shërbejnë për përpunimin e saj.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/