Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se nuk do të mbështesë aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO pas një proteste në Stokholm në fundjavë që përfshinte djegien e një kopje të Kuranit.
Protestat në kryeqytetin suedez të shtunën kanë rritur tensionet me Turqinë në një kohë kur vendi nordik ka nevojë për mbështetjen e Ankarasë për të hyrë në aleancën ushtarake.
Ankaraja ka qenë nën presion në rritje nga zyrtarët suedezë dhe finlandezë, si dhe nga shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, për të miratuar pranimin e Suedisë dhe Finlandës që kur të tre vendet nënshkruan një memorandum trepalësh gjatë një samiti të NATO-s në Madrid qershorin e kaluar.
Dy vendet nordike ranë dakord të trajtojnë shqetësimet e sigurisë të ngritura nga Turqia, përkatësisht praninë e organizatave kurde në Suedi që Ankaraja pretendon se kanë lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën Turqia, BE-ja dhe Uashingtoni e kanë cilësuar si grup terrorist.
Por duke folur sot pas një takimi të kabinetit, Erdogan tha:
Ata që lejojnë një blasfemi të tillë para ambasadës sonë në Stokholm nuk mund të presin më mbështetjen tonë për anëtarësimin e tyre në NATO.
Ai kritikoi gjithashtu autoritetet suedeze për lejimin e zhvillimit të demonstratës jashtë ambasadës turke në Stokholm.
“Kështu që ju do t’i lini organizatat terroriste të veprojnë dhe më pas do të prisni mbështetjen tonë për të hyrë në NATO. Kjo nuk do të ndodhë. Nëse Suedia nuk do të tregojë respekt për Turqinë apo myslimanët, atëherë ata nuk do të shohin asnjë mbështetje nga ne për çështjen e NATO-s”, tha ai. /albeu.com