Ambasadorja Kim: Shqipëria në rrugën e duhur që të udhëtojë në SHBA pa viza

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka deklaruar mbrëmjen e sotme se Shqipëria është në rrugën e duhur që të hyjë në SHBA pa viza. Ajo theksoi se një gjë e tillë mund të ndodhë së shpejti.

Kim: Varet nga çfarë ndodh në Shqipëri. Por mund të them këtë. Kur japim, kur vendosim të japim viza dhjetë-vjeçare, kuptimi është që jemi optimistë për dhjetë vitet e ardhshme. Nuk bëj dot parashikim se kur saktësisht do të mund të udhëtojmë pa viza fare, por mund të them se jemi në drejtimin e duhur. Një nga këta tregues është tregtia, biznesi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Më tej, ajo ka theksuar se raportet ekonomike Shqipëri-SHBA janë përmirësuar.

E ftuar në Report tv, ambasadorja ka sjellë disa raste dhe ka deklaruar se investimet direkte nga SHBA janë dyfishuar krahasuar me vitin 2019.

Kim: Deri në shtator 2022, investimet e huaja direkte nga SHBA janë 213 milionë dollarë – thuajse dy herë më shumë se sa ishte në 2019-ën, pikërisht para pandemisë. Investimet e SHBA në shëndetësi, shërbime financiare, energji dhe teknologji të informacionit e turizëm po rriten; kemi kompani si kurrë më parë këtu, sidomos në sektorin TI dhe po marrin gjithnjë e më shumë njerëz në punë e po trajnojnë gjithnjë e më shumë.

Kemi edhe një njëbrirësh këtu – IntelyCare. Tregtia u dyfishua, dyfish midis 2019 nga 139 milionë në 235 milionë dollarë. Eksportet shqiptare për në SHBA thuajse u trefishuan nga viti 2019, nga 53 milionë në 137 milionë. Ka erëza, bimë mjekësore, në fakt mendoj se 70% e sherebelës që importohet në SHBA vjen nga Shqipëria. Por sot importojmë nga Shqipëria edhe produkte alumini, përfshi pjesë makinash. Dhe ky është lajm i madh.

Mendoj se Shqipëria, një nga gjërat që njerëzit e kanë të lehtë t’i besojnë janë lajmet e këqija, por shumë të vështirë të besojnë lajmet e mira. Ndaj, erdha e armatosur me disa fakte, për t’ju treguar që s’po i sajoj. Këto janë faktet. Ekonomia, tregtia e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, biznesi me Shtetet e Bashkuara, po arrin më lart se kurrë në majë./Albeu.com/


Shtuar 19.01.2023 21:23