Gërvalla: Kosova nuk do të kërkojë rrugica për të zbatuar një asociacion që shkel Kushtetutën

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë të hënën se Kosova nuk do të kërkojë rrugica për të zbatuar një asociacion, “i cili shkel Kushtetutën e vendit”.

“Cila do të jetë rrjedha e bisedave në Bruksel në kuadër të marrëveshjes finale, cilat do të jenë konsesionet që edhe Serbia do të jetë e gatshme të bëjë në raport me të drejtat e minoriteteve në Serbi, e shumë e shumë tema të tjera, mbetet të diskutohen në kuadër të dialogut”, ka thënë Gërvalla në një konferencë të përbashkët me ministren e Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, kur është pyetur për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Por, Asociacioni për të cilin palët janë marrë vesh në Bruksel, por për të cilin palët janë marrë vesh që të zbatohet vetëm pasi të ketë kaluar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nuk mund të zbatohet sepse e shkel kushtetutën dhe një Qeveri, një gjë që nuk do të duhej të bënte kurrë, është që të merrte vendime të cilat shkelin ligjet dhe kushtetutën e vendit”, ka shtuar Gërvalla.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Javën e kaluar, Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se pret nga “Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”.

SHBA-ja, madje, ka paralajmëruar se do të kërkojë “partnerë alternativë” për formimin e Asociacionit, në rast se Qeveria e Kosovës nuk e gjen një mënyrë për ta themeluar atë.

Gërvalla ka thënë se Kosova është e përgatitur për finalizim të procesit të dialogut dhe se dialogu duhet të nisë këtë vit me intensitet dhe jo me takime në gjashtë muaj.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”. /REL


Shtuar 16.01.2023 13:04