Aktori i njohur Roland Trebicka ikona e teatrit dhe kinemasë shqiptare do të feston sot 75-vjetorin e lidnjes. Por sëmundja e rëndë i mori jetën 10 vite më parë.
Aktori i njohur më së shumti si “Jovan Bregu”, për shkak të rolit të tij në komedinë “Pallati 176”, i cili vijon të mbetet në kujtesën e artdashësve si interpretimi që e bëri të njohur vuante vitet e fundi të jetës nga tumori në mushkëri, sëmundje prej së cilës ishte kuruar edhe jashët vendit, por pavarësisht mjekimeve nuk ia doli dot.
Roland Trebicka lindi në Korçë më 13 Janar 1947. Karriera e tij si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ndoshta, që këtu e ardhmja e tij ishte vendosur. Humori spontan, i cili i buron dhe në momentet më të vështira u shqua që në kohën e shërbimit ushtarak, ku shërbeu si aktor në Estradën profesioniste të SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore), e njohur si “Estrada e Ushtarit”.
Vitet në këtë trupë profesioniste ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm, që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. U bë anëtar i trupës së Teatrit Kombëtar më 1971dhe punoi aty deri në vitin 1999. Pas një përvoje trevjeçare me kompaninë “Publimedia”, u kthye në Teatrin Kombëtar. Në jetën e tij artistike, kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”.
Por rolet e aktorit Roland Trebicka në teatër janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori”, “Revizori” te “Një burrë me trandafil”, “Ne të gjithë këndonim Margaritën”, “Darka e të marrëve”, “Jashtë bie borë”, “Stjuardesat”, Kontin Almaviva “Berberi i Seviljes”, Vinsenti “Të gjithë me huqe”, “Një tablo absurde”, “Endrra e Ismail Qemalit” etj. Në vitin 2002, për rolin e Rojës te “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, Kajro.
Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden “Ëndërr për një karrige” (Vaska) dhe “Koncert në vitin 1936” (Nesti). Për kontributin e tij në skenë, ai është nderuar me titujt “Artist i merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe së fundmi bashkia Korçë i akordoi titullin “Nderi i qytetit”.