Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se paralajmërimet e Serbisë për shqyrtimin e dërgimit të forcave të saj në Kosovë, janë “krejtësisht të papranushme”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.
Paralajmërimi i tij erdhi pasi Policia e Kosovës shtoi praninë e saj në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Situata atje ka javë që është tensionuar, fillimisht për shkak të planit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe, pastaj për shkak të zgjedhjeve të planifikuara në atë pjesë, që kundërshtoheshin nga serbët lokalë.
Si pasojë e tensioneve në rritje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu zgjedhjet e parapara më 18 dhjetor për në prill të vitit të arshshëm.
Në një postim në Twitter, Baerbock tha se Kosova i ka ulur tensionet me shtyrjen e zgjedhjeve, por retorika e fundit e Serbisë, sipas saj, bën të kundërtën.
Ministrja gjermane tha se janë “të papranueshme” edhe sulmet mbi misionin e BE-së në Kosovë, EULEX.
Një patrullë e këtij misioni u sulmua mbrëmjen e së shtunës me shok bombë nga, siç u tha, persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës.
Ditëve të fundit, atje ka pasur disa incidente me armë zjarri, për të cilat autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale”, të udhëhequra nga Beogradi./REL