Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Gabriele Gravina, ka paralajmëruar se Juventusi do të përjashtohet nga Serie A në sezonin e ardhshëm nëse nuk tërhiqet nga Superliga Evropiane.
Juventusi, Real Madridi dhe Barcelona, janë klubet e vetme që nuk janë tërhequr zyrtarisht nga projekti i ‘shkëputjes’ që u iniciua para më pak se një muaji nga 12 klube evropiane, por dështoi vetëm pas dy ditësh.
Klubet nga La Liga dhe Serie A kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët të shtunën duke njoftuar se kanë marrë presione, kërcënime dhe ofendime të papranueshme që të heqin dorë nga Superliga.
“Kur klubet pranojnë të marrin pjesë në ligën italiane, ata i pranojnë parimet e organizatave ndërkombëtare. Është e qartë, se nëse Juventusi nuk i pranon këto parime, do t’i ndalohet pjesëmarrja në ligën vendore”.
“Më vjen keq, kam parë disa tifozë të shqetësuar këtë mëngjes, por të gjithë duhet t’i respektojnë rregullat”.
“Nëntë klube vendosën të tërhiqeshin nga kompeticioni (Superliga), ndërsa tre kanë mbetur akoma. Sidoqoftë, shpresoj që kjo mosmarrëveshje të përfundojë sa më shpejt”, është shprehur Gravina.