Gjermania i ka ofruar Polonisë sisteme mbrojtëse, Patriot dhe Eurofighters, për mbrojtje të hapësirës ajrore.
Kështu u tha mediave gjermane, ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht.
“Brenda aleancës, ne duhet të pozicionohemi edhe më mirë sa i përket mbrojtjes ajrore, dhe kjo vlen veçanërisht për Poloninë, Sllovakinë dhe vendet baltike”, tha ajo.
Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak ,tha se ai e pranoi ofertën e Gjermanisë për raketa shtesë Patriot, dhe tha se do t’i vendosin ato pranë kufirit me Ukrainën.
Më 14 nëntor, dy polakë u vranë kur një raketë goditi një depo gruri në fshatin Pzhevoduv, vetëm 6 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi një ditë më pas se sulmi i së martës në Poloni me gjasë u shkaktua nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, por shtoi se Rusia mbetet fajtore pasi ajo e nisi luftën.
Incidenti ndodhi gjatë asaj që Kievi e quajti valën më intensive të sulmeve ruse me raketa në qytete ukrainase që nga fillimi i luftës në shkurt.
Ukraina tha se i rrëzoi shumicën e raketave ruse përmes raketa të veta të mbrojtjes ajrore. Rajoni Volyn i Ukrainës, afër kufirit me Poloninë, ishte njëri nga të shumtit që ishte cak i sulmeve ruse, sipas Ukrainës./REL