Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, ka dhënë disa detaje nga hetimi që po kryen institucioni që ajo drejton për vdekjen e Lear Kurtit dhe veprimet e policisë.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Ballanca tha se nuk është dokumentuar hyrja e Lear Kurtit në komisariat dhe gjithashtu nuk është dokumentuar as arsyeja e ndalimit të tij. Po kështu, Ballanca tha se nga kqyrja e regjistrave për vitin 2022, nuk rezulton se Kurti të ketë qenë kontigjent i policisë si shpërndarës apo konsumator i lëndëve narkotike, por ishte shoqëruar një herë për verifikim dhe një herë tjetër, sepse kishte qenë në makinën e një personi që nuk posedonte patentë.
“Nga verifikimi, ka rezultuar dy fakte, fakti i parë është se ky individ nuk është banor i rajonit të komisariatit numër 3. Ai banon në komisariatin 2. Nëse do të kishte indicie për vepër penale, kompetent do të ishte rajoni numër 2.
Në rajonin 2 verifikuam regjistrat dhe rezulton se gjatë këtij viti, ai është shoqëruar në rajon dy herë, për shkaqe banale dhe që nuk kanë lidhje me konsumin apo shpërndarjen e lëndëve narkotike. Një herë është shoqëruar për shkak se ka patur probleme me identifikimin e tij, ka dhënë inrformacione kontradiktore. E kanë mbajtur tetë orë dhe e kanë lëshuar pa akuza dhe pa asnjë lloj problematike.
Herën e dytë është shoqëruar po në muajin tetor, për një shkak që është edhe më i palidhur me konsumin e drogës. Është shoqëruar sepse ka qenë në mjet me nje person që nuk ka patur patent. Kemi identifikuar regjistrat për këtë vit”, deklaroi Ballanca.
Pjesë nga biseda:
Erinda Ballanca: Ne që në mëngjesin e së enjtes kemi dërguar një grup ekspertësh, i drejtuar nga zoti Prenci, që ka qenë edhe drejtues i policisë, gjithashtu edhe dy ndihmës komisionerë. Ata kanë bërë kqyrjen e regjistrave dhe kanë kërkuar marrjen e kamerave.
Ata kanë marrë shpjegime paraprake edhe nga persona që kanë kryer shoqërimin.
Ajo që ka qenë rezultati i menjëhershëm, jemi informuar nga policia, se personi nuk ka hyrë në komisariat dhe është çuar në spital. Nga kjo deklaratë e parë, kemi bërë planin tonë të hetimit, kemi vendosur të hetojmë më thellë, sepse kemi evidentuar parregullësi në mbajtjen e procedurave.
Kjo nuk do të thotë se ka patur dhunë, apo personi ka qenë i dhunuar, por janë disa indicie që tregojnë se ka një problematikë në procedurën e shoqërimit.
Policia e shtetit nuk mund të shoqërojë cdo person në rrugë, duhet të ketë disa shkaqe. Ose ka indicie që ka kryer vepër penale, ose dyshohet se mund të kryejë një vepër.
Gjetja jonë e parë është se nuk ka asnjë regjistrim në regjistrat e policisë, në lidhje me personin në fjalë. Do të presim të marrim të dhëna të mëtejshme. Kemi vijuar me hetimin, me përgatitjen e dokumentacionit. Janë marrë në pyetje në mënyrë të plotë të gjithë punonjësit e policisë, të përfshirë në çështje. U është kërkuar edhe kopje e dokumentit të gjetje paraprake të mjekësisë ligjore.
Ajo që e frenoi pak hetimin, ishin gjetjet e deklaruara nëpër media, se shkaku i vdekjes ishte gëlltitja e një lënde narkotike. U desh të viheshin në dispozicion pamjet filmike nga mediat, të cilat nuk janë prova definitive, por përbëjnë indicie për të thelluar hetimin.
I kemi pyetur efektivët, ata nuk pranojnë se ka patur dhunë. Pretendojnë se rasti është fatkeqë dhe ai është ndjerë keq pasi ka arritur në komisariatin e policisë.
Ylli Rakipi: Ju kontrolluat dokumentacionin. A është Lear Kurti, përdorues droge dhe kontigjent i policisë?
Erinda Ballanca: Edhe ne e kemi hetuar dhe verifikuar, nëse marrëdhënia e këtij personi me policinë ka qenë marrëdhënie problematike dhe nëse ai është shoqëruar në mënyrë të vazhdueshme. Nuk kishte asnjë shkak të regjistruar se përse po shoqërohej.
Nga verifikimi, ka rezultuar dy fakte, fakti i parë është se ky individ nuk është banor i rajonit të komisariatit numër 3. Ai banon në komisariatin 2. Nëse do të kishte indicie për vepër penale, kompetent do të ishte rajoni numër 2.
Në rajonin 2 verifikuam regjistrat dhe rezulton se gjatë këtij viti, ai është shoqëruar në rajon dy herë, për shkaqe banale dhe që nuk kanë lidhje me konsumin apo shpërndarjen e lëndëve narkotike. Një herë është shoqëruar për shkak se ka patur probleme me identifikimin e tij, ka dhënë inrformacione kontradiktore. E kanë mbajtur tetë orë dhe e kanë lëshuar pa akuza dhe pa asnjë lloj problematike.
Herën e dytë është shoqëruar po në muajin tetor, për një shkak që është edhe më i palidhur me konsumin e drogës. Është shoqëruar sepse ka qenë në mjet me nje person që nuk ka patur patent. Kemi identifikuar regjistrat për këtë vit.
Nuk duket që personi të ketë qenë i shoqëruar gjatë këtij viti për këto shkaqe. Do të presim informacione të tjera.
Ylli Rakipi: Deklaratat e policisë ishin kontradiktore.
Erinda Ballanca: Ne në mënyrë të vazhdueshme i kemi rekomanduar Policisë së Shtetit, që deklaratat e tyre të jenë të sakta. Rreziku më i madh nga një deklaratë e shpejtë është shumë e madhe. Kujdesi që duhet të tregojnë forcat e policisë duhet të jetë shumë i madh.
Nuk mund të them se ka patur tentativë për të fshehur rastin, por sigurisht do të hetojmë në lidhje me këtë çështje.
Armand Shkullaku: Ju kanë thënë që nuk ka hyrë brenda komisariatit?
Erinda Ballanca: Thonë se nuk ka hyrë brenda në godinë por jashtë komisariatit. Përgjigja ka qenë e kemi mbajtur jashtë sepse është ndjerë keq. Ky ishte shkaku që na u dha.
Armand Shkullaku: Vetëm ky fakt tregon se ka patur tentativë për të manipuluar.
Erinda Ballanca: Fakti që ka parregullësi në dokumentim, nuk do të thotë domosdoshmërisht se personi ka vdekur për shkak të dhunës policore.
Armand Shkullaku: Po thoja që ka përpjekje për të ndryshuar versionin e ngjarjeve.
Erinda Ballanca: Nuk ka përpjekje të strukturuar. Ne kemi pyetur persona që ishin në krye të detyrës. I kemi pyetur për elementë që mund të përbëjnë shkelje administrative. Nga pamjet filmike duket se ai është ndjerë keq që në fillim dhe duhet ta kishin çuar në spital.