Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, riafirmoi përkushtimin e Uashingtonit për të mbrojtur “çdo centimetër” të territorit të NATO-s.
Këto deklarata ai i bëri para nisjes së takimit të 30 ministrave të Mbrojtjes së NATO-s. Në takimin e 13 tetorit, ministrat pritet të mbajnë diskutime të mbyllura lidhur me planin bërthamor të aleancës.
Po ashtu, deklaratat e Austinit vijnë pas kërcënimeve të maskuara të presidentit rus, Vladimir Putin, për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, pasi ushtria e tij po pëson humbje në fushëbetejë në Ukrainë.
“Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s, nëse vjen puna deri aty”, tha sekretari Austin.
Në Bruksel, anëtarët e NATO-s të enjten mbajnë takimin e Grupit të Planifikimit Bërthamor, që është një trup i lartë i aleancës për çështjet bërthamore, por edhe që merret me politikat e lidhura me forcat bërthamore.
Ndërkaq, në margjinat e takimit në Bruksel, një grup prej 13 anëtarësh të NATO-s dhe Finlanda – që është në proces të anëtarësimit në këtë aleancë ushtarake – nënshkruan një marrëveshje për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore, sikurse Arrow 3 dhe Patriot.
Grupi që ka nënshkruar këtë marrëveshje përfshin Gjermaninë, Britaninë, Sllovakinë, Norvegjinë, Letoninë, Hungarinë, Bullgarinë, Belgjikën, Çekinë, Finlandë, Lituaninë, Holandën, Rumaninë dhe Slloveninë.
Disa prej shteteve anëtare të NATO-s po kërkojnë që të forcojnë sistemet e mbrojtjes ajrore, në dritë të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës. Disa shtete të tjera po zëvendësojnë apo përditësojnë sistemet aktuale, teksa po vazhdojnë të armatosin Ukrainën./rel