29 Shtatori, Dita botërore e Zemrës, disa këshilla nga Spitali “Hygeia” për shëndet më të mirë kardiovaskular

29 Shtatori është dita botërore e Zemrës (sëmundjeve kardiovaskulre) dhe këtë vit nën sloganin “Use Heart For Every Heart”, kjo ditë si çdo vit i dedikohet ndërgjegjësimit të popullatës mbi rëndësinë e kontrollit të shëndetit të zemrës.

Kjo ditë merr edhe më shumë rëndësi nisur nga fakti që sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë vrasësi numër 1 në botë duke rezultuar me rreth 18.6 milion vdekje në vit. 1 në 2 shqiptarë kanë të paktën një faktor rreziku për zhvillimin e Dislipidemive dhe 80% e ngjarjeve kardiake janë të Parandalueshme.

Shkaktarët që çojnë në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulra janë nga më të ndryshmet, disa prej të cilave janë të pamundura për t’i shmangur. Por ekzistojnë edhe një sërë faktorësh të tjerë të cilët mund t’i evitoni duke ulur kështu ndjeshëm rrezikun dhe pasojat e sëmundjeve kardiake.

Faktorë rreziku të vlerësuar si të pashmangshëm janë: Mosha

Rreziku i shfaqjes së sëmundjeve të zemrës rritet me kalimin e moshës. Kategoria më e rrezikuar janë meshkujt mbi 45 vjeç dhe femrat mbi 55 vjeç.

Gjinia

Sëmundjet kardiovaskulare prekin në mënyrë të barabartë si meshkujt ashtu dhe fermat, por statistikat tregojnë se meshkujt e moshës së mesme preken më shumë nga ataku në zemër krahasuar me gratë e të njëjtës grup moshe.

Historia familjare

Historia familjare, pra në rastet kur një familjar i juaji ka vuajtur apo vuan nga sëmundjet e zemrës, atëherë probabiliteti për t’u prekur nga këto sëmundje është më i lartë.

Ndërkohë, për sa i përket faktorëve që mund të menaxhohen nga ana jonë, mjekët kardiologë këshillojnë:

Mbani në normë presionin arterial

Presioni i lartë arterial është një faktor i madh rreziku për sëmundjet e zemrës. Për këtë arsye mjekët rekomandojnë monitorim të herëpashershëm të presionit të gjakut duke kryer kontrolle rutinë te mjeku kardiolog.

Mbani nën kontroll nivelet e kolesterolit dhe triglicerideve

Niveli i lartë i Kolesterolit nuk shoqërohet me simptoma, por ndërkohë dëmton në heshtje enët e gjakut, duke ndërtuar pllakëza në muret e arterieve të cilat mbivendosen duke çuar kështu në ngushtimin e tyre.

Mjekët specialistë rekomandojnë kryerjen e kontrolleve dhe analizave të gjakut në mënyrë periodike me qëllim parandalimin e këtyre sëmundjeve. Është e rëndësishme që përveç kolesterolit të përgjithshëm, të kontrollohet edhe kolesteroli i keq (LDL), i miri (HDL) dhe trigliceridet.

Mbani nën kontroll peshën

Obeziteti në të shumtën e rasteve lidhet drejtpërdrejt me faktorët e tjerë të rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare.

Mbani regjim të shëndetshëm ushqimor

Përpiquni të kufizoni konsumin e yndyrnave të ngopura, ushqimet me përmbajtje të lartë natriumi dhe sheqernat.

Konsumoni sa më shumë fruta & perime të freskëta.

Merruni me aktivitet fizik

Aktiviteti fizik, qoftë edhe 30 minuta ecje çdo ditë, ka shumë përfitime shëndetësore ndër të cilat forcon zemrën dhe përmirëson qarkullimin e gjakut

Limitoni alkoolin & duhanin

Menaxhoni stresin

Stresi është i lidhur me sëmundjet kardiake në shumë mënyra, duke filluar që nga rritja e presionit të gjakut e deri në atak kardiak.

Mbani nën kontroll diabetin

Diabeti dyfishon rrezikun e shfaqjes së sëmundjes së zemrës prandaj është me rëndësi vitale që të kryeni në mënyrë periodike të gjitha kontrollet e nevojshme për diagnostikimin e hershëm të diabetit.

Prandaj për një zemër të shëndetshme mjekët rekomandojnë të mos neglizhoni kontrollet periodike te mjeku dhe të adaptoni një stil jete të shëndetshëm.

Spitali Hygeia

Kontakto: 04 23 90 000/albeu.com/