Të tjera detaje kanë dalë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në kryeqytet para dy viteve, ku Përparim Ademi vrau dy motrat në zonën e Astirit.
Ditën edjeshme Gjykata e Tiranës dha dënimin me burgim të përjetshëm për Ademin, pasi vrau Zhaneta Metanin dhe Kristina Bardhin.
Ai është shpallur fajtor për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, ngjarje që ka ndodhur më 31 dhjetor të vitit 2020. Autori i ngjarjes, i cili më herët mbante mbiemrin Tela, aktin e rëndë e kreu në prezencën e dy fëmijëve të mitur të bashkëjetueses së tij, Zhaneta Metani.
Pas ekzekutimit të dyfishtë, autori u largua nga vendngjarja, por u dorëzua 2 orë më vonë në Policinë e Tiranës. Motiv i ngjarjes së rëndë dyshohet se është bërë vendimi i bashkëjetueses së Ademit, Zhaneta Metani, e cila kishte vendosur që të mos vazhdonte lidhjen mes tyre. Tronditëse është fakti që u mësua më vonë se në fakt vrasësi kishte fëmijë me të dyja gratë-motra, përveç se kishte edhe një familje tjetër.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi paraditen e 31 dhjetorit 2020, ku Ademi ekzekutoi me automatik bashkëjetuesen e tij Kristina Bardhi dhe motrën e saj, Zhaneta Metani, brenda banesës së tyre në zonën e “Astirit”. Nga hetimet ka rezultuar se 59-vjeçari nuk pranonte ndarjen nga dy motrat, me të cilat kishte një lidhje jashtëmartesore. Në dosjen e krimit të rëndë thuhej se autori Përparim Ademi ka marrë peng Zhanetën një ditë para se ta vriste, bashkë me të motrën, si dhe e ka kërcënuar që të rikthehej me të. Siç citohet në dosje, Ademi i ka kërkuar Zhanetës që të ndahej nga i dashuri dhe e ka çuar në një hotel, ku edhe kanë kryer marrëdhënie seksuale.
“Më datë 30.12.2020 në mëngjes, ka shkuar poshtë pallatit të Zhanetës dhe aty e ka pritur nga ora 06:00 e mëngjesit, kur ajo del për punë. Më pas, ai deklaron se e ka marrë nën kërcënimin e një thike, që kishte me vete, dhe e ka futur në një makinë tip ‘Volksëagen Tiguan’. Nga aty e ka çuar në Kërrabë, nga rruga e vjetër e Elbasanit, dhe atje kanë ndaluar në një vend pranë lapidarit nja 500 metra më lart, dhe kanë biseduar, duke dashur ta detyrojë të kthehej prapë me të dhe të shkëputej nga ai person. Përparimi deklaron se një moment Zhaneta u duk sikur ka pranuar. Më pas, ai i ka thënë të shkonin në një hotel dhe të flisnin aty. Më pas, kanë shkuar në hotel, ku dhe kanë kryer dhe marrëdhënie me dëshirën e saj, pa përdorur dhunë ndaj saj në asnjë moment”, thuhej në dosje.
Më tej, në dosje thuhej se: “Në darkë, kur Përparimi ka qenë në shtëpi e ka marrë në telefon motrat Kristina dhe Zhaneta, duke më thënë që e kisha kërcënuar, rrahur e përdhunuar Zhanetën. Për këtë arsye, do më bënin denoncim, do më fusnin në burg etj. Më thanë se duhet ta lija të lirë Zhanetën që të vazhdonte me atë djalin. Të nesërmen jam zgjuar në mëngjes dhe kam shkuar te puseta e shtëpisë, ku mbaja automatikun që e kisha fshehur që në vitin 1997. Ka qëndruar duke menduar çfarë duhet të bënte dhe në një moment e ka ndarë mendjen, duke i thënë vetes se tradhtia ka vetëm një çmim, vdekjen, dhe e ka bindur veten fort për këtë gjë”.
DËSHMITË
Nga dosja hetimore e asaj ngjarjeje të rëndë, e sjellë nga Panorama, u mësuan detaje tronditëse, të dala nga dëshmitë që kanë dhënë dëshmitarë kyç dhe persona të përfshirë dhe që kanë dijeni për ngjarjen. Në dëshminë e dhënë, vetë Ademi ka pretenduar se ka fëmijë me të dyja motrat. Ndër të tjera janë zbardhur dëshmitë e djalit të Zhaneta Metanit dhe gruas së Përparim Ademit. Drekën e Krishtlindjeve te shtëpia e Zhanetës ka pasur një debat dhe dy motrat ia kanë bërë të qartë Përparimit se duhet të ndërpriste marrëdhënien me ta. Ishte hera e fundit që shkonte tek ata. Ai është larguar dhe deri një ditë para vrasjes, domethënë më 30 dhjetor, nuk ka pasur me komunikim dhe takim me to. Më 30 dhjetor, në mëngjes, ai ka shkuar poshtë pallatit të Zhanetës dhe aty e ka pritur në mëngjes herët kur ajo del për pune. Vetë Përparimi ka treguar se e ka marrë Zhanetën dhe e ka futur në makinë duke e kërcënuar me thikë. A. Metani, djali i Zhaneta Metanit, i cili ishte dëshmitar në vendngjarje mëngjesin e 31 dhjetorit, ka rrëfyer se mamaja fillimisht i kishte thënë që Përparimi Ademi ishte babai i tij, por më vonë e kishte kuptuar që kjo nuk ishte e vërtetë. Babanë nuk e kishte njohur kurrë. Vjollca Telo, gruaja e Përparimit, ka treguar se e ka marrë vesh lidhjen, nuk ka ndërhyrë për të prishur lidhjen e tyre, pasi donte që burri të ishte i kënaqur për të mos prishur familjen. Vjollca ka rrëfyer gjithashtu se me familjen e Zhanetës shkonin familjarisht në plazh. Ajo madje tregon se vetë Përparimi i kishte treguar për shqetësimin e tij se Zhaneta e tradhtonte me një tjetër. Madje, atë ditë thotë Vjollca, ishte i mërzitur.