Pas mbledhjes së ministrave ditën e sotme ka dalë në një deklaratë për shtypin edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cial ka njoftuar se do të ketë konsultime për dy propozime që lidhen me vendosjen e fashës 800 kWh për familjet shqiptare, duke nisur nga 1 tetori.
Balluku theksoi se çmimi energjisë është rritur frikshëm duke thënë se në bursën hungareze, të cilës i referohet qeveria një MWh, arriti mbrëmë në 1040 euro, ndaj marrja e masave për të mbrojtur qytetarët është mëse e nevojshme.
“Është bërë studimi se sa familje preken dhe sa do jetë ky çmim. Mbrëmë në orën 20:00 çmimi në bursën hungareze që i referohemi arriti në 1040 euro për MWh. Mund ta llogarisni vetë sesa është kilovati për orë dhe nëse do ti ekspozonim qytetarët tanë përballë këtyre çmimeve do të ishte e pamundur, megjithatë fasha 800 kWh ka disa propozime nga Operatori i Shpërndarjes dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilat do të diskutohen nga Këshilli i Ministrave për t’u zgjedhur ajo që do të jetë më e mirë edhe për të optimizuar financat e sektorit, por edhe për të diferencuar mburojën sociale që i japim qytetarit për nevojat që një familje sa i përket energjisë elektrike dhe pastaj ata qytetarë që vendosin të shpenzojnë më shumë por që mbetet në diskrecionin e tyre për të paguar një çmim më të lartë”, tha Balluku./albeu.com