AP: Trupi i Martinajt zor se gjendet, e ka “hequr qafe” një grup i mirëstërvitur ushtarakisht

Nuk ka dyshim se eliminimi i Ervis Martinajt nga skena e botës së krimit të organizuar në Shqipëri, është një prej ngjarjeve më të bujshme të kronikës, në dekadën e fundit.

AP, më 19 gusht, publikoi detaje mbi të shumëkërkuarin e drejtësisë shqiptare, pas zhdukjes së tij dhe denoncimit që familjarët kanë bërë në Polici më 11 gusht.

Trupi i Ervis Martinajt, i copëtuar në gjashtë pjesë, është parë nga një dëshmitar. Por, gjasat që ai të gjehet nga autoritetet, për të faktuar përfundimisht edhe vdekjen e personit, i cili u kthye në mit të krimit në Shqipëri, janë shumë të pakta, për të mos thënë inekzistente.

Për herë të fundit, ai u pa në shoqërinë e një miku të tij. Teksa mendohet se tek bandat rivale, e ka shpënë një person i afërt, i cili e ka tradhëtuar.

Albanian Post sjell detaje të reja tashmë mbi gjithë ngjarjen, ku sipas burimeve konfidenciale pranë redaksisë, përgjegjësit për zhdukjen e Martinajt kanë ardhur posaçërisht për eliminimin e tij nga jashtë kufijve të Shqipërisë.

Madje, sipas burimit, bëhet fjalë për një grup shumë të mirëstërvitur ushtarakisht, mes të cilëve ish-ushtarakë.

Po ashtu, burimi e thekson faktin se trupi i copëtuar i tij është parë nga një dëshmitar. Ajo çfarë do të jetë e vështirë, ka të bëjë me gjetjen e trupit dhe shpalljen zyrtare të vdekjes nga Policia, duke e lënë kështu zhdukjen mister.

Megjithatë, nuk do të ishte hera e parë kur trupi i një personi të lidhur me botën e krimit, nuk gjendet edhe pas vitesh të tëra zhdukjeje.

Një prej rasteve më të njohur të viteve të fundit, është edhe ai i Enver Stafukës, i cili u rrëmbye në vitin 2015, madje i regjistruar edhe në video, por trupi i tij kurrë nuk është gjetur dhe vijon të kërkohet edhe pas shtatë vitesh.

Veçse Martinaj është personazh i një kalibri tjetër.

Vetvetiu lind pyetja se si një person, i cili njihej si “mbret” i lojërave të fatit, i shquar për nga shkathtësia, mprehtësia dhe dinakëria e tij, i cili dukej shumë i mbrojtur edhe nga vetë sistemi, është ekzekutuar?

Sinjali, ka ardhur që me fillimin e ekzekutimeve brenda rrethit të tij, të cilat kulmuan me vrasjen e trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku i vdekur mbeti edhe Brilant Martinaj, familjar i afërt i Ervisit.

Sinjal paralajmërues ky, i ardhur drejtpërdrejt nga bandat rivale.

Arsyeja? Martinaj kishte tejkaluar çdo cak të mundshëm. Kështu e pohon burimi: Ishte bërë i pakontrollueshëm.

Vrasjet dhe aktivitetet e tij kishin prishur atë dinamikë mes bandave duke e izoluar Martinaj gjithnjë e më tëpër brenda botës së krimit.

A mbyllet me kaq zinxhiri? Me majën piramidale të bosit të një prej bandave më të fuqishme të vrarë?

Sipas burimit të Albanian Post, loja veçse ka filluar. Ekzekutimi i Martinajt, nuk do të jetë gjë tjetër, veçse fillimi i zinxhirit të larjes së hesapeve brenda qarqeve kriminale në Shqipëri.

Për t’ia arritur banda të ndryshme ishin bashkuar, duke kontraktuar vrasës me pagesë të specializuar në eliminime të dhunshme dhe precize, edhe jashtë kufijve kombëtarë.

Por, me shfarrosjen e Martinajt dhe njerëzve të afërt të tij, në Shqipëri, duke cituar burimin, ka filluar ajo që në Itali e quajnë luftë mafioze: përplasja e përgjakshme mes bandave rivale për të rivendosur hierarkitë dhe ekuilibrat brenda tregut kriminal.

Shqipëria duhet të bëhet gati për gjakderdhje. Një të tillë, Policia, zor se do të ketë fuqi ta kontrollojë…/Albaniapost/