Muajt e pritjes kanë marrë fund për Shkëlzen Gashin.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare të futbollit është kthyer tashmë në Zvicër për të vijuar karrierën si profesionist.
Gashi ka firmosur një kontratë afatgjate me FC Aarau deri më qershor 2023.
31-vjeçari ka vendosur ta rinis karrierën nga ligat inferiore, pasi Aarau militon në kategorinë e dytë të futbollit zvicerian.
Sulmuesi shqiptar ishte pa ekip që prej muajit mars 2019, ku ndërpreu kontratën me Colorado Rapids në MLS amerikane.
Shkelzen Gashi e nisi karrierën te Zyrih, teksa luajti në Zvicër edhe me ekipe si Grasshoppers (fitues i kupës 2013) dhe Basel, ku u shpall kampion në vitin 2015 dhe gjithashtu u shpall dy herë golashënuesi më i mirë i Superligës.