Japonia kërkon ndihmën e Interpolit për arrestimin e ish-shefit të Nissanit e Renaultit

Autoritetet e Japonisë kanë bërë kërkesë në Interpol për arrestimin e Carlos Ghosnit, ish-shefit të Nissanit e Renaultit, që ka ikur nga akuzat për korrupsion në Japoni.

I ashtuquajturi “alarm i kuq”, përmes organizatës ndërkombëtare policore Interpol, alarmon policitë në të gjitha vendet e botës se një person po kërkohet, në këtë rast nga autoritetet japoneze.

Gjithsesi, Interpoli s’ka fuqi të detyrojë anëtarët e vet t’i përshtaten alarmit dhe ky nuk është urdhërarrest. Ministria e Drejtësisë në Liban konfirmoi se ka marrë njoftimin. Ghosn të martën kishte bërë të ditur se ka arritur në Liban, pasi u ankua se “ishte mbajtur peng nga një sistem i manipuluar i drejtësisë në Japoni”.

Fluturimi i tij nxiti hetime të shumta se si kishte mundur ai të ikte nga Japonia në një aeroplan privat, të ndalej shkurt në Turqi, e të fluturonte më pas drejt Bejrutit. Në Tokio është bastisur rezidenca e Ghosnit, ndërsa në Turqi janë arrestuar shtatë persona si pjesë e hetimeve. Sipas “Anadolu Agency”, të arrestuarit dyshohet se ndihmuan Ghosnin të ikte.

Arrestimi i Ghosnit duket vështirë i mundshëm në Liban, për shkak të lidhjeve të tij politike atje, një nga tri shtetet që i kishte garantuar pasaportë, krahas Brazilit e Francës. Ghosn ishte lindur në Brazil e ka prindër libanezë dhe kishte studiuar në Francë para se të udhëhiqte kompanitë e mëdha botërore të automobilizmit.

Ai është arrestuar në nëntor të vitit 2018 nën akuzat për korrupsion me miliona euro. Ghosni ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme në rezidencën e tij në Tokio që kur iu garantua lirimi me kusht në prill të 2019-s. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, Ghosn është larguar nga Japonia pasi kuptoi se gjykimi ndaj tij është shtyrë për prill të vitit 2021, transmeton Koha.net.

Pala mbrojtëse e Ghosnit ka refuzuar të komentojë ikjen e klientit.

Ekstradimi i 65-vjeçarit nga Libani në Japoni nuk pritet të ndodhë për shkak se shtetet s’kanë marrëveshje për ekstradim. Edhe Franca ka thënë se nëse ai shkon në atë vend, nuk do ta ekstradojë “sepse Franca nuk ekstradon shtetasit e vet”.


Shtuar 2.01.2020 19:26