Raporti i SHISH zbuloi në raportin e fundit të publikuar, se në vendin tonë prodhohet Bitcoin, nga subjekte të palicensuara për këtë aktivitet. Merren objekte me qira, afër vendeve ku mundësia për të abuzuar apo vjedhur energjinë elektrike është më e lartë, por ka edhe raste ku ndërhyhet në matësit elektrikë.
Duke folur për këtë gjetje të SHISH, eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço shpjegoi për Abcnews.al, se Shqipëria e lejon këtë biznes vetëm në mënyrë të licensuar dhe të deklaruar në konform me ligjin. Por sipas tij duke dashur që të shmangen pagimit të energjisë, por edhe ligjit për të mos u kuptuar se kush i ka në përdorim, shumë persona edhe nga bota e krimit zgjedhin që këtë aktivitet ta kryejnë në mënyrë ilegale.
“E para këta shmangin taksat, dhe e bëjnë për pastrim parash. Është e pagjurmueshme se kush e ka bërë.” tha Karamuço.
Eksperti duke iu referuar ngjarjes së ndodhur në Maj të vitit të kaluar në Tiranë, ku mbeti i vrarë 27-vjeçari Mehmet Qena, nga miku i tij Marius Dema, tha se në këtë moment policia ka gjetur edhe disa pajisje për prodhimin e Bitcoin. Sipas tij ky ishte edhe momenti që bëri policinë të alarmohej për përhapjen në masë të këtyre makinerive që prodhojnë monedha virtuale.
Ajo që është më e rëndë, eksperti vlerëson se këto makineri po përdoren nga grupe kriminale për pastrim parash por edhe pagesa për vrasës.
“Kujtoj një vrasje tek “Rruga 5 Maj” dhe në këtë ngjarje u gjet edhe mining për prodhimin e Bitcoin. Këtu u dha alarmi në polici se ky aktivitet është i përhapur. Këtë SHISH e ka gjurmua, dhe e para bëhet në kuadër të pastrimit të parave nga grupet kriminale. Forma më e lartë e përdorimit të Bitcoin është për të paguar vrasësit me pagesë.” tha Karamuço.
Karamuço sqaron se në “dark Web” mund të bëhen pagesat, ku porositësi vendos emrin e personit që do të eliminojë dhe më pas dërgon vlerën në para virtuale për vrasësin me pagesë.
“Është një rrezik pavarësisht se monedhat virtuale kanë rënë. Janë dy gjëra, se mund të hyjsh në Dark Web dhe aty paguan me Bitcoin, dhe vendos emrin e personit që do vrasësh dhe mbaron punë. Këtë e shikojnë rrezik shumë të madh. Se është cënim i sigurisë publike.” tha Karamuço.