Valën e rritjes së lëndëve të para, që po ndikon direkt te shtimi i kostove te prodhuesit shqiptarë, po e vuajnë edhe fabrikat e ujit të ambalazhuar. Drejtuesit kryesorë pohojnë se janë prekur më shumë nga katërfishimi i çmimit të energjisë dhe shtrenjtimi i lartë i ambalazhimit të plastikës. Për këto arsye, kostot e prodhimit për ta janë shtuar 50 deri në 100%.
Aktualisht prodhuesit po ambalazhojnë ujin e pijshëm me shumë vështirësi dhe me fitime të ulëta. Në tregun e brendshëm, rritja e çmimeve ka qenë e ulët, për shkak të informalitetit të lartë të tregut.
Në anën tjetër, prodhuesit pohojnë se eksportet vijojnë trendin rritës, por nuk arrijnë të mbulojnë kostot e larta dhe rënien e kërkesës nga tregu i brendshëm.
Prodhimi i ujit, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2021 u rrit rreth 4% më shumë se në 2020-n. Rritja e sasisë së ujit të ambalazhuar për vitin 2021 është në të njëjtat nivele edhe me 2019-n, periudhën para pandemisë.
Thanas Severi, administratori i ujit “Lajthiza”, tha se prej janarit të vitit të kaluar, industria po vuan rritjen e çmimit të energjisë, naftës, transportit detar dhe plastikës së ambalazhimit të shisheve të ujit.
“Nga muaji dhjetor 2020 deri në dhjetor 2021, çmimi i ambalazhit plastik është rritur 100%. Nga dhjetori 2021 deri në mars 2022, plastika u shtrenjtua përsëri 30%. Rritje të lartë të çmimit ka pasur edhe për energjinë. Fabrika furnizohet në linjën e tensionit të lartë 35 deri në 110 kV. Çmimi për këtë kategori furnizuesish është rritur 4,5 herë, nga 18,8 lekë në 36 lekë për kWh.
Me nivelin e çmimit të mëparshëm, energjia zinte 10-15% të totalit të kostove të prodhimit. Aktualisht me rritjen e çmimit, energjia zë pjesë të konsiderueshme te kostot.
Në anën tjetër, duhet theksuar që shumë fabrika të tjera furnizohen në linjën e tensionit të ulët 20 kV, nga të cilat po blihet energjia me çmim preferencial 18,8 lekë/kWh. Kjo situatë po ndikon te konkurrenca”.
Kostot e prodhimit të ujit të ambalazhuar janë shtuar 100% nga rritja e çmimeve sipas përfaqësuesit të ujit “Lajthiza”. “Situata është e jashtëzakonshme.
Pritet edhe për periudhën në vijim, të ketë rritje të çmimeve të lëndëve të para, e cila do të ndikojë drejtpërsëdrejti te kostot. Shtrenjtimi i lëndëve të para në tregjet e huaja ishte i pritshëm pas krizës së pandemisë. Kurse rritja e çmimit të energjisë në këto nivele është e pashpjegueshme. Nisi rritja e çmimit në bursë dhe vijoi rritja zinxhir në të gjithë tregun”.
Edhe administratori i ujit “Qafshtama”, Florant Dautaj, tha se rritja e çmimeve të lëndëve të para ka nisur që vitin e kaluar dhe ka vijuar çdo 3-mujor. “Në dhjetor të vitit 2021, fillimisht çmimet u rritën 15%.
Për periudhën mars-maj, rritja është mbi 20% për çdo kategori produkti. Për 6-mujorin e dytë parashikohen rritje të tjera të çmimeve të furnizimeve rreth 10%. Pothuajse 100% e lëndëve të para për ambalazhimin e ujit mineral ‘Qafshtama’ importohen nga vende të Bashkimit Europian dhe ndikohen nga çmimet në tregjet ndërkombëtare.
Rritjen më të madhe e ka pësuar shishja plastike (PET) e cila është rritur 65% krahasuar me vitin 2021. Produkte kryesore, si: tapat, etiketat, filmat e paketimit dhe çdo produkt, i cili është pjesë e prodhimit, është rritur nga 20-30% në 3-mujorin e fundit. Energjia elektrike dhe nafta zënë gjithashtu një vend të rëndësishëm në procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së produktit.
Energjia elektrike sot blihet 60% më shtrenjtë se një vit më parë. Efekti i ndryshimit të çmimeve në kostot totale të produktit parashikohet të jetë në normën 20% rritje, nëse kemi një stabilitet të çmimeve të importit për lëndët e para”, pohon ai.
Shtimin e kostove nga shtrenjtimi i lëndëve të para, po e vuajnë edhe kompanitë më të reja në treg, siç është uji “Dukati”, që ka nisur prodhimin në 2018-n. Administratori i kompanisë, z. Franci Ndreka, thotë se shtrenjtimi i energjisë, plastikës dhe pagat e punonjësve mbeten faktorët kryesorë të rritjes së kostove prodhuese.
“Kostoja kryesore në prodhim në industri është energjia dhe pagat. Energjia dukshëm është rritur me 50%, por mbi të gjitha janë rritur pagat me të paktën 25%. Duke qenë larg qytetit (në Llogora) nuk e kemi të lehtë të gjejmë njerëz të kualifikuar mjaftueshëm për të operuar teknologjinë të cilën përdorim në paketim.
Dukshëm çmimi i naftës ka shënuar rritje të lartë, e cila shton kostot e transportit. Edhe plastika, nënprodukt i naftës, ka shënuar rritje jo të vogël me rreth 30% që nga fillimi i vitit dhe gati 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Çmimi i energjisë nga 12 lekë ka arritur në 18 lekë për kWh. Nga komunikimet me furnizuesit në tregun e lirë është njoftuar që së shpejti, çmimi i energjisë do të shkojë rreth 35 lekë/kWh, pra një rritje prej 200%”, nënvizon ai.
Julian Beqiri, drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Blu Imperial”, që prodhon ujin e ambalazhuar “Selita”, shton se kostot e prodhimit janë rritur 50% për shkak të dyfishimit të çmimit të energjisë, ambalazhit të plastikës dhe qelqit.
“Çmimet e lëndëve të para kanë pësuar të gjitha rritje, pasi janë nënprodukte të naftës, çmimi i së cilës është shtrenjtuar prej muajsh në bursat e huaja. Edhe çmimi i energjisë është dyfishuar. Rritje 50 deri në 60% ka pasur te shishja plastike (PET), tapat dhe etika e shisheve. Blerja më shtrenjtë e lëndëve të para se vjet ka shtrenjtuar kostot e prodhimit 50%”, nënvizon ai.
Fabrika e re e kompanisë “Blu Imperial” që prodhon ujin “Selita” u përurua vjet në muajin maj, pas investimit 3-vjeçar në Shqipëri. Kompania “Blue Imperial” u ble në 2018 nga grupi “Kastrati” në vlerën e 20 mln dollarëve, duke synuar rritjen e shitjeve deri në 70% të ujit të prodhuar në muajt e verës në tregun e brendshëm dhe zgjerimin e eksportit me vendet arabe.
Taksa e ambalazhit paguhet për ambalazhet e plastikës dhe qelqit. Për ambalazhin plastik është 100 lekë/kg, ndërsa për qelqin 10 lekë/kg. Përfaqësuesi i ujit “Selita”, Julian Beqiri, thotë se ka ardhur koha që shteti të rishikojë nivelin e taksës së plastikës, pasi detyrimi për taksën e ambalazhit po zë 35% të vlerës së mallit.
Kjo është hera e dytë që brenda dy viteve, industria e ujit të ambalazhuar preket nga rritja e kostove. Investimi për dezinfektimin, infektimi i punonjësve, por edhe kufizimi i orarit të lëvizjeve u konsideruan faktorët kryesorë prej operatorëve për shtrenjtimin e kostove të prodhimit në vitin 2020.
Ndërsa tkurrja e kërkesës për shkak të mbylljes së bareve dhe restoranteve krijoi stok në fabrika. Pavarësisht se shitjet në vitin 2021 ishin më të larta se në 2019, stoku i mbetur ndikoi te rendimenti i prodhimit.
Vështirësitë e furnizimeve
Vonesa në dorëzimin e porosive dhe ndryshimi i shpeshtë i çmimeve janë problematikat më të mëdha me të cilat po përballen çdo ditë operatorët e ujit.
“Prej vitesh bashkëpunojmë me kompani të konsoliduara ndërkombëtare për furnizimin e lëndëve të para, të cilat në vazhdimësi na mbajnë të informuar për parashikimet e prodhimeve dhe dorëzimit të porosive. Fatmirësisht, kemi kapacitete të larta magazinimi të cilat na krijojnë kushte të mbajmë një stok të lartë të lëndëve të para.
Për sa i përket ndryshimit të shpeshtë të çmimeve, vlen të theksoj se asnjë furnitor i lëndëve të para nuk garanton çmim të qëndrueshëm për një periudhë më të gjatë se 3 muaj në avancë.
Nga njoftimet paraprake që kemi marrë pritet që 6-mujori i dytë i vitit 2022 të ketë rritje të çmimeve të lëndëve të para të paktën 10% më shumë se ato aktuale”, thotë administratori i ujit “Qafshtama”, Florant Dautaj.
Me vështirësitë në furnizime po përballen të gjitha kompanitë e industrisë. Drejtori i kompanisë së ujit “Selita”, Julian Beqiri, nënvizon se çmimet e furnitorëve ndryshojnë dita-ditës, ndërsa për ta është shqetësuese zgjatja e afatit të mbërritjes së furnizimeve. “Për furnizimet e lëndës së parë nga jashtë nuk arrin më të lidhësh kontrata me afat 3 apo 6-mujor.
Çmimet e vendosura nga furnitorët janë të vlefshme vetëm për një porosi. Për çdo porosi që kryejmë, çmimi është më i lartë se porosia e mëparshme. Shqetësim është edhe koha e gjatë e mbërritjes së një porosie nga jashtë. P.sh., në rastin e qelqit, përveçse në Itali materiali po gjendet me shumë vështirësi, pasi shumë fabrika janë mbyllur nga rritja e çmimit të gazit, koha e mbërritjes së furnizimit është 6 muaj”, – thekson z. Beqiri.
Rritja e kohëzgjatjes për marrjen e porosive po shkakton pengesa te prodhuesit shqiptarë edhe sipas administratorit të ujit “Lajthiza”. “Afati i lëvrimit të porosive nga 3 deri në 4 javë tashmë është 7 deri 8 javë.
Çmimi i lëvrimit të porosive të lëndëve të para dita-ditës ndryshon. Kjo situatë nuk të lejon të shtysh për të nesërmen porosinë, pasi ka pasur raste që të nesërmen, çmimi është shtrenjtuar edhe 90% më tepër”, nënvizon administratori i kompanisë”, z. Severi.
Si kanë ndryshuar çmimet e ujit të ambalazhuar
Rritja e çmimeve të lëndëve të para për biznesin nuk po njeh kufizim, ndryshe nga niveli i çmimeve finale për konsumatorin. Prodhuesit pohojnë se kanë aplikuar rritje të lehtë të çmimeve, që nuk amortizojnë rritjen e lartë të kostove.
Pavarësisht kësaj situate, i gjithë zinxhiri i furnizimit me ujë të ambalazhuar është i ekspozuar ndaj rritjeve të tjera.
Një muaj më parë, çmimet e ujit të ambalazhuar “Lajthiza” u rritën 5%. Administratori i kompanisë thotë se rritja e çmimeve është minimale dhe nuk reflekton shtimin e lartë të kostove.
“Kostot e shtuara të prodhimit janë amortizuar te fitimet e kompanisë, nuk janë reflektuar te çmimet e konsumatorit. Nuk mund të zbatohet rritje e lartë çmimesh, pasi do të duhet t’i përshtatemi edhe tregut, ku një pjesë e konsiderueshme e tij është informal”.
Rritje të çmimeve ka pasur edhe nga uji “Dukat”. “Fatkeqësisht për inflacionin nuk ka zgjidhje tjetër, veç transferimit të çmimit. Megjithatë ne jemi munduar në maksimum të rrisim eficiencën dhe të jemi më të kujdesshëm me kostot, që çmimi të rritet sa më pak tek konsumatori final”, tha Franci Ndreka.
Përfaqësuesi i ujit “Selita”, Julian Beqiri, thotë se nuk janë rritur çmimet dhe kostot e shtuara janë amortizuar te fitimet e kompanisë.
Operatorët, pesimistë për shitjet e verës
Aktualisht në treg, kërkesa për ujë është luhatur. Konsumi i ujit, sipas administratorit të ujit “Lajthiza”, Thanas Severi, është në stanjacion, i ndikuar nga rritja e çmimeve të produkteve të mallrave të shportës.
Për kompaninë “Dukati”, administratori Franci Ndreka pohoi se ecuria e konsumit është relativisht mirë. “Sigurisht që ndihet një tkurrje, por ne e kemi të vështirë për ta matur, pasi jemi relativisht të rinj në treg dhe vazhdojmë zgjerimin e tregut me rritje dyshifrore”.
Vjet operatorët kryesorë në vend raportuan rritje të shitjeve 50% më shumë se në 2020-n, e ndikuar nga hapja e kompanisë. Në vitin 2021, kërkesa për ujin e pijshëm të ambalazhuar tejkaloi edhe 2019-n.
Në pandemi, shitjet ranë deri në 50% nga mbyllja e shërbimeve dhe masave kufizuese. Për shumicën e kompanive, tregu është i ndarë, 50% e tij në markete dhe supermarkete dhe 50% në bare, restorante, hoteleri -turizëm.
Për ecurinë e konsumit të verës 2022, operatorët pohojnë se e kanë të vështirë të bëjnë parashikime, duke qenë se çmimet e produkteve shportës dhe të shërbimeve vijojnë rritjen çka mund të ndikojë edhe te numri i turistëve.
Rriten eksportet e ujit
Vijon trendi rritës i eksporteve të ujit të ambalazhuar shqiptar. Vjet, sipas të dhënave të Doganave, eksportet u rritën 49% më shumë se në 2020-n. Për periudhën janar-prill 2022, eksportet janë rritur 52% më shumë se në vitin 2021. Ndryshe nga çfarë po ndodh në tregun e brendshëm, operatorët kryesorë të ujit të ambalazhuar thonë se rritja e eksporteve është ndikuar nga rritja e kërkesës, sidomos nga shtetet e vendet të Lindjes.
“Eksportet në këta 4 muaj janë 30% më shumë se vjet, kryesisht për shtetet e vendeve arabe. Kërkesa është e lartë dhe ka prurje të reja. Çmimet e eksporteve kanë mbetur të pandryshuara, përveç rritjes së tyre të vazhdueshme, pasi kontratat me kompanitë e huaja janë afatgjata.
Pavarësisht rritjes së eksporteve, ato nuk arrijnë të kompensojnë shtrenjtimin e lartë të kostove dhe stanjacionin e kërkesës së tregut të brendshëm”, veçon Thanas Siveri nga uji “Lajthiza”.
Përveçse në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, vjet, për herë të parë, kompania eksportoi edhe në Angli. Eksportet vazhdojnë në Zvicër, Gjermani dhe Dubai. Për të përballuar fluksin e lartë të kërkesës nga tregjet e huaja, kompania “Lajthiza” ka nisur investimin për ngritjen e një fabrike të re, ku punimet parashikohet të mbyllen vitin tjetër.
Importet e ujit
Në vitin 2021, importet u rritën 34% më shumë se në vitin 2020, sipas të dhënave të Doganave. Trendi rritës i importeve vazhdoi edhe në 2022. Për muajt janar-prill, importet janë 30% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2021. Në 2020-n, për shkak të karantinës, importet pësuan tkurrje të lehtë.
Dëmet e tregut informal, tek industria
Faktor shqetësues në këtë industri vijon të mbetet tregu informal dhe konkurrenca e pandershme. Makinat me bote, që tregtojnë ujë për konsumatorët familjarë, jo vetëm që kanë rritur konkurrencën e pandershme, por është kthyer edhe në një rrezik për popullatën, pasi tregtohen në mungesë të kushteve higjieno-sanitare.
“Tregu informal mbetet një problematikë me të cilën përballemi çdo ditë te klientët tanë. Ka një përmirësim të sektorit HoReCa (Hotele-Restorant-Kafene) dhe Retail në qytetet e mëdha, si Tirana dhe Durrësi, por nuk ndodh e njëjta gjë në qytetet e tjera, ku informaliteti është një fenomen sa shqetësues, po aq dhe bllokues për tregtimin e produkteve tona”, thekson përfaqësuesi i ujit “Qafshtama”.
Nëse pjesa “e zezë” e tregut të ujit do të formalizohej, përfitimet do të ishin të larta për industrinë, sipas administratorit të ujit “Dukati”.
“Konsumatorët e ujit ‘Dukati’ kanë një standard të caktuar për sigurinë e konsumit të produkteve të tyre dhe nuk na rezulton që do të blinin ujë në treg informal, për shkak të mungesës së besimit në standardet dhe pastërtinë e ujit (këtu flasim për autobotet që shesin me bidona në lagjet e qyteteve/fshatrave).
Nëse flasim për efektin makro, patjetër që ndikon, sepse nëse ai treg do të ishte i formalizuar, do të ishte më i kushtueshëm, për shkak të standardeve që duhet të plotësojnë dhe taksave që duhet të paguajnë.
Për rrjedhojë, do ta bënte produktin tonë më të pranueshëm në çmim nga një bazë më e madhe konsumatorësh”, shton ai./Monitor