Miratimi i Territoriales Reformës/ Reagon Rama: S’duhet të bëjnë asnjëherë “hesape pa hanxhinë” me PS, Shqipëria mori një shtysë modernizuese

Në një reagim në rrjete sociale, kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas miratimit me 85 vota pro të Reformës Administrativo-Territoriale, që parashikon shkrirjen e 15 bashkive, pavarësisht kundërshtive nga qytetarët që preken, të cilët dolën edhe në protestë.

Kryeministri shkruan se përtej debateve të brendshme dhe spekulimesh të jashtme, votimi i reformës në Parlament, i dha “Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese”.

Të lidhura

None found

Rama deklaron votimi u tregoi po ashtu “të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë “hesape pa hanxhinë” me PS”.

“Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese. Dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste”, ka shkruar Rama.

Reforma Territoriale, u miratua në orët e para të ditës së sotme pas një debati maratonë. Me 85 vota pro, socialistët i hapën rrugën hartës së re të Shqipërisë me 46 bashki.

I pranishëm në seancë ishte edhe vetë Rama, ndërsa votë pro dha edhe deputeti Erion Braçe, i cili kundërshtoi ashpër projektligjin.

Më herët ndryshim qëndrimi pati shprehur edhe socialisti tjetër, Vullnet Sinaj, i cili bashkë me Braçen kishin kundërshtuar draftin në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS.


Shtuar më 9.10.2026 09:33