Përmbytjet e mëdha kanë detyruar evakuimin e qindra mijëra njerëzve në Kinën jugore, ndërsa priten më shumë reshje në ditët në vijim.
Qyteti industrial i Guangdong pezulloi mësimin, punën në zyrë dhe transportin publik mes rritjes së nivelit të ujërave dhe kërcënimit nga rrëshqitjet e dheut.
Në provincën fqinje të Jiangxi, pothuajse 500,000 njerëz janë prekur nga dëmtimet e shtëpive si pasojë e përmbytjeve. Lumenjtë u tejmbushën dhe nivelet e përmbytjeve arritën nivelin më të lartë të 50 viteve në dy provinca të vendit.
Videot në mediat shtetërore tregojnë makina nën ujë në rrugë dhe njerëzit duke u shpëtuar me litarë nëpër lumenj të fryrë. Rajonet lindore të Kinës po përballen me reshjet më të larta që nga viti 1961, thonë zyrtarët e motit.
Banorëve të komuniteteve që jetojnë përgjatë brigjeve të lumenjve dhe në lagjet e ulëta u është kërkuar të lëvizin në toka më të larta.
Qyteti i Shaoguan në provincën Guangdong ka qenë një nga më të prekurit, duke bërë që zyrtarët të ngrenë alarmin për përmbytjet në nivelin më të lartë, pasi qyteti regjistroi reshje rekord që nga fundi i majit. Një alarm i ngjashëm u vendos për qytetin Qingyuan të Guangdong.
Sezoni i shirave të verës rezulton rregullisht me përmbytje në Kinën jugore, por ka shqetësime se ndryshimi i klimës po e përkeqëson situatën. Ndërkohë shumë zona në veri të vendit po përjetojnë temperatura jashtëzakonisht të larta.
Në nivel global, stuhitë tropikale më intensive janë në rritje si rezultat i ndryshimeve klimatike, duke çuar në përmbytje të shtuara që kërcënojnë jetët, të korrat dhe ujërat nëntokësore./REL