Në presidencë janë duke u zhvilluar homazhet për ish-presidentin Bujar Nishani që ndërroi jetë disa ditë më parë në Gjermani, për shkak të një sëmundjeje.
Politikanë dhe figura të njohura po kryejnë homazhe. Ka qenë kreu i Grupit Parlamentar i PS-së Taulant Balla, ai që është prononcuar për mediat pas homazheve. Ai u shpreh se Nishani ka qenë një shtetar i respektuar
“Bashkë me kolegë, ministra e deputetë, kemi qenë sot në Presidencë për të dhënë lamtumirën e fundit një shtetari të respektuar si Bujar Nishani. Unë kam pasur mundësinë të punojmë së bashku edhe si kundërshtarë politikë në Kuvend, jemi zgjedhur të dy njëkohësisht më 2005. Do ruaj gjithmonë respektin për Bujar Nishanin si kundërshtar, por natyrshëm edhe si një personalitet i respektuar, që erdhi nga fusha ushtarake, por që diti të tregojë disa herë me radhë respektin ndaj kushtetutës dhe institucioneve të vendit. Gjatë ushtrimit të tij të detyrës si President, Nishani pati momentet e duhura kur tregoi respektin ndaj Kushtetutës dhe institucioneve. I shpreh, bashkë me kolegët e mi të PS, ngushëllimet më të sinqerta. Nuk qe e shkruar që Bujari t’ia kalonte edhe njëherë një beteje për jetën, por vlerësimi mbetet maksimal”, tha Balla.
Edhe ish-presidenti Bamir Topi ka folur për mediat, ku tha se Nishani la mbrapa një vepër shumë komplekse se ka qenë aktivist politik por edhe detyra të rëndësishme në 2 kabinete sinjifikative dhe si kryetar shteti.
“Për më tepër kur largohet në një moshë te të duke lënë hidhërim të fortë familjes dhe miqve të tij. Nishanin e kam njohur 22 vite më parë dhe fati e solli pastaj që vit pas viti të jemi bashkë. Ai la mbrapa një vepër shumë komplekse se ka qenë aktivist politik por edhe detyra të rëndësishme në 2 kabinete sinjifikative dhe si kryetar shteti. E mbaj mend kur I dorëzova detyrën në 2012. I lehtë i qoftë dheu”, tha Topi./albeu.com