5 akademikë dhe 5 profile politike, kush janë kandidatët e PS për President? I preferuari zbulohet të shtunën

Partia Socialiste do të marrë disa ditë kohë për të propozuar dhe më pas votuar emrin e saj për President të Republikës. Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, u vendos që raundi i 4-të për kreun e shtetit, të zhvillohet të shtunën, më 4 qershor.

Me mungesë dhe të kryesocialistit Edi Rama që ndodhet në New Yok, për marrjen e Presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nga Shqipëria, socialistët mbledhjen e parë për emrin e Presidentit, do e zhvillojnë të premten, kur do të mbledhin Kryesinë, ndërsa një ditë më pas deputetët do të firmosin për emrin që ata dëshirojnë ta çojnë në Presidencë. Me ezaurimin e 3 raundeve të para që kërkojnë konsensus politikë, PS-ja nuk ka asnjë pengesë për ta bërë këtë, duke i pasur mbi 71 kartona në Parlament.

Burime për Abc bëjnë me dije se PS ka identifikuar 10 emra për President. 5 janë me profil politik dhe 5 të tjerë akademike dhe nga shoqëria civile. Por, emri i të preferuarit do të zbulohet të shtunën, në orën 10:00 kur do bëhet mbledhja e grupit parlamentar i PS, nga vetë Rama.

Por këtë proces PS do e vazhdojë e vetme. Enkelejd Alibeaj ishte në Konferencë të Kryetarëve, por me axhendë tjetër. Ndërkohë opozitarët e tjerë u përfshinë në debat, madje, duke u propozuar socialistëve, që të nxjerrin një emër  grupi i tyre.

Mjaft kritik u shfaq aleati i PD-së, Fatimir Mediu, duke dëshmuar edhe një herë përçarjen brenda opozitës, për këtë proces. Ndërkohë vetë ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të bojkotojë seancën kur do të zhvillohet raundi i 4 për Presidentin. Pritet të shikohet nëse do të ketë ndonjë lëvizje nga ai, ndërsa PS-ja e distancon nga çdo akt parlamentar./abcnews.al


Shtuar 31.05.2022 19:51