Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi pak ditë më parë një kërkesë për ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike në vend.
Por nisma mbeti në mes për shkak se për të ngritur një komision hetimor duhen 35 firma dhe grupi i PD-së, megjithëse e kishte protokolluar kërkesën me numrin e duhur të firmave, Agron Duka u tërhoq, duke e lënë dokumentin me 34 firma.
Burimet nga grupi i PD-së bëjnë të ditur se janë shtuar edhe firmat e Enkelejd Alibeajt dhe Lulzim Bashës.
“Grupi Parlamentar i PD ka ridepozituar sot të korrigjuar kërkesën me nënshkrimet e jo më pak se 35 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, pas tërheqjes së deputetit Agron Duka. Dëshirojmë të theksojmë se për deputetët nismëtar, zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e interesit publik, janë detyrë parësore e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e grupit të PD-së.
Sipas tij “Qëllimi i ngritjes së Komisionit Hetimor nuk është targetimi i posaçëm i asnjë investitori të ligjshëm, por të evidentojë abuzimet me ligjin dhe të marrë masat për frenimin e ketyre fenomeneve negative, korruptive dhe klienteliste. Pasuritë publike nuk mund të jenë kurrë plaçkë për miqtë dhe familjarët e Edi Ramës, dhe detyra e Kuvendit është të marrë masat për të ndaluar abuzimet me zbatimin e ligjit për investimet strategjike dhe të nxjerr përgjegjësitë për këdo që ka shkelur ligjin”./bw