“Qeni më besnik” i Putinit, Ramzan Kadyrov ka kërcënuar se është i gatshëm të sulmojë Poloninë, sipas një postimi në Twitter.
Sipas revistës gjermane “Focus”, lideri çeçen sqaroi synimet e tij dhe rrjedhimisht, të presidentit rus Vladimir Putin duke paralajmëruar qeverinë e Varshavës.
“Konflikti në Ukrainë është një çështje e mbyllur. Jam më i interesuar për Poloninë. Nëse marrim urdhrin, jemi gati të tregojmë se çfarë mund të bëjmë për 6 sekonda”, ka thënë ai.
Sipas autoriteteve ukrainase, Ramzan Kadyrov ka dërguar trupa në Ukrainë për të luftuar në anën e forcave ruse. Megjithatë nuk është e qartë nëse dhe si është përfshirë Kadyrov në sulmet ruse ndaj ukrainasve.
Deklaratat e tij sot vijnë vetëm disa orë pasi Polonia kërkoi që ai të kërkojë falje për situatën me ambasadorin rus. Lajmi është transmetuar nga rrjeti i lajmeve “NEXTA” , ndërsa ka theksuar se Kadyrov ka paralajmëruar Poloninë në mënyrë kërcënuese:
“Ne do të kundërpërgjigjemi, kijeni parasysh”.
Rikujtojmë se ambasadori rus u sulmua me bojë të kuqe gjatë një ceremonie për përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, më 9 maj.