Presidenti, Balla pas takimit me opozitën: Gati për të hedhur në tavolinë emra konkretë, presim PD-në në tryezë

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka dalë në një deklaratë për media pas takimeve me krerët e dy grupeve parlamentare të opozitës për negociatat për presidentin e ri të vendit.

Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se PS është e gatshme për të hedhur në tavolinë dhe për të diskutuar me emra konkretë të kandidatëve për presidentë.

“Bashkë me kolegët kemi zhvilluar sot raundin e dytë të takimeve me dy prej tre gupeve parlamentare të opozitës. PS e ka dëshmuar edhe sot disponibilitetin për të diskutuar me emrat të kandidatëve për presidentë. Kemi gatishmëri për të hedhur në tavolinë emra konkretë”, tha Balla.

Ai shton: “Shpresoj që nga ana e PD të ketë një vendimmarrje për të ardhur në tryezë. Gatishmëria për t’i dhënë një president të gjithë shqiptarëve vijon dhe në ditët në vazhdim, por ka disa afate. Jemi në kushtet ku me 15 është raundi i parë dhe afati i fundit i raundit të dytë është më 23 maj”./albeu.com