Reali i bën gati vendin, Al Kelaifi “bllokon” Mbappe

Reali i Madridit ka fituar titullin kampion në La Liga dhe më 28 maj do të përpiqet t’i shtojë edhe Ligën e Kampioneve muzeut të sukseseve. Nëse madrilenët do të fitonin përballë Liverpulit, ky do të ishte titulli i tretë sezonal pas Superkupës së Spanjës dhe titullin në La Liga. E teksa e gjithë vëmendja është nga Parisi, në Madrid kanë nisur lëvizjet konkrete në merkato.

Jo më larg se të martën, mediat spanjolle kanë raportuar se Reali ka mbyllur gjithçka me mbrojtësin e Çelsit, Antonio Rydiger. Gjermani besohet të ketë firmosur një kontratë deri në vitin 2026 me kampionët e rinj të Spanjës dhe nga 1 korriku pritet të vihet nën urdhrat e Karlo Ançelotit. Por tifozët e Realit nuk mund të kënaqen me kaq dhe presin dhuratën e madhe të klubit. Nuk ka se si të jetë ndryshe veç Kilië Mbapesë, për të cilin Reali ka të paktën një vit kalendarik që po investon në çdo drejtim.

Në Madrid nuk duan të nxitohen për të dhënë ndonjë lajm të parakohshëm. Por ata janë të bindur se Mbape do të firmosë me “Los Blancos”. Ndaj, në Madrid ata e kanë llogaritur titullar sulmuesin e kombëtares franceze. Mbape pritet të rreshtohet në krahun e majtë të sulmit, duke zhvendosur brazilianin Vinicius në të djathtë, teksa në qendër do të jetë Karim Benzema.

REAGIMI NGA PARISI

“Por ndërsa në Madrid e llogarisin në formacionin e Ançelotit, në Paris janë të bindur se Mbape do të vijojë të luajë për kampionët e Francës përtej këtij sezoni.”

Ka qenë vetë presidenti Naser Al Kelaifi, ai që ka lënë të kuptohet se PSGja ka mbyllur gjithçka me sulmuesin, i cili është bindur të qëndrojë në Francë. Lajmi është dhënë nga e përditshmja spanjolle “AS”. Sipas saj, presidenti i PSG-së, gjatë një takimi pune në Madrid u ka bërë të ditur kolegëve të tij se Mbape ka rinovuar me PSG-në.

Kjo deklaratë e presidentit të PSG-së ka ardhur në të njëjtën ditë kur Mbape ka qenë në Madrid së bashku me Ashraf Hakimin të ftuar nga Serxho Ramos.


Shtuar 12.05.2022 18:56