Orges Shehi drejt lamtumirës, një skuadër e re e pret në Kosovë

Orges Shehi qëndron. Orges Shehi largohet në fund të sezonit. Kjo është dilema bardheblu.

Gjithçka pritet të zbulohet në orët në vazhdim. Një nga themelet e sezonit të ri është kontrata e re mes klubit dhe Orges Shehit.

Të gjithë janë të bindur se bashkëpunimi do të vazhdojë. Këtë e ka bërë të qartë edhe presidenti Refik Halili, i cili javë më parë pranoi se marrëveshja me trajnerin do të mbyllet, duke futur në mes edhe rritje rroge.

Në fakt, gjërat nuk janë aq të qeta. Shehi e shtyu çështjen e kontratës për më vonë, pikërisht ditën që doli kampion, ndërsa zërat për një largim të mundshëm të tij nga Tirana janë të mëdha, sepse tani është në qendër të vëmendjes dhe të ofertave.

OFERTA – Prej javësh trajneri i Tiranës ka në tavolinë një ofertë shumë të mirë. “Panorama Sport” zbulon se një skuadër kosovare i ka afruar 12 mijë euro (me shumë mundësi Gjilani) që ai së bashku me stafin e tij të drejtojnë një ekip kosovar dhe të sjellin titullin kampion.

Oferta është shumë e mirë dhe është një nga të shumtat. Nga ana tjetër, Shehi, që të vazhdojë punën te Tirana, ka kërkuar që skuadra të mos preket, por një gjë e tillë zor se ndodh.

Hoxhallari është i larguar, ndërsa pritet që të ikin edhe dy maqedonasit, Toli e njëri prej dyshes Seferi-Xhixha. Në këtë situatë, trajneri i ka kërkuar kohë më parë presidentit Refik Halili dy gjëra teknike: të ruajë grupin, pra të rinovojë kontratat me lojtarët pa kontratë, por edhe të ketë një skuadër kompetitive për sezonin e ri.

Pra, që të mos ketë largime. Edhe nëse ka largime ekstra, pra për shitje, Shehi kërkon nga klubi që t’i zëvendësojë me lojtarë të vlefshëm dhe të njëjtë me ata që ka pasur, në të kundërt largohet.

Këto janë kushtet teknike të Shehit, i cili e mori skuadrën një vit e gjysmë më parë dhe që në sezonin e dytë solli titullin te bardheblutë.

Prej shumë vitesh Tirana nuk e fiton kampionatin kaq thjesht dhe merita kryesore është e Orges Shehit. Si fillim ndërtoi një ekip me lojtarë të rinj e me shumë talent dhe nga ana tjetër, i drejtoi drejt titullit, duke bërë një nga kampionatet më të pastra. /panoramasport/


Shtuar 10.05.2022 08:27