Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi është bërë politikani i parë shqiptar që viziton Ukrainën pasi së bashku me homologun nga Rumania dhe Zvicra kanë shkuar në Bucha dhe Irpin.
Sipas Portalb.mk, kryeparlamentari ka udhëtuar në Ukrainë përmes transportit hekurudhor nga Polonia, i ftuar nga kryetari i Kuvendit të Ukrainës Rusllan Stefançuk. Xhaferri tha se i ka të freskvta imazhet e luftës në Kosovë e Srebenicë.
“Ne në Ballkanin Perëndimor i kemi të freskëta kujtimet nga imazhet e këtilla që i shihnim jo më gjatë se dy dekada më para, e kemi të freskët Reçakun në Kosovë, e freskët është Srebrenica në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe gjithsesi mendoj se ne ju kuptojnë dhe e dimë më së miri çfarë do të thonë këto imazhe që i shohim këtu”, deklaroi Xhaferi.
Xhaferi sulmet ruse i ka vlerësuar si gjenocid dhe shprehu mbështetjen e tij simbolike për popullin ukrainas.
“Gjithsesi, për mua është kënaqësi e veçantë dhe e pranova ftesën që edhe personalisht ti vizitoj Buçën dhe Irpinin që personalisht ti shohim pasojat nga ajo që është pushtimi i Federatës Ruse mbi Ukrainën. Natyrisht, prezenca ime është simbol i mbështetjes personale, institucionale dhe mbështetjes së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për popullin e Ukrainës dhe institucioneve të Ukrainës.”-tha ai./albeu.com