Finalizohet operacioni policor i koduar “Similar”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të narkotikëve.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza, pajisje që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, një automjet, dy aparate celulare dhe dy peshore elektronike.
Vihet në pranga poseduesi i tyre.
Në pranga edhe 1 shtetas tjetër, për moskallëzim krimi, i dënuar më parë për vrasje mbetur në tentativë, përndjekje dhe prodhim dhe shitje narkotikësh.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Similar”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– A. R., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
– J. B., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas marrjes së informacioneve se me një mjet tip “Opel”, lëviznin persona të armatosur, menjëherë kanë bërë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar.
Në afërsi të vendit të quajtur “Pallati me shigjeta”, kanë ndaluar automjetin e dyshuar, me drejtues shtetasin A. R. dhe pasagjer shtetasin J. B. Gjatë kontrollit të automjetit, punonjësit e Policisë kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. R., në rrugën “Jaho Gjoliku”, u gjetën sasi municioni luftarak, sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë e ndarë në doza, pajisje që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike dhe dy peshore elektronike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me armën e zjarrit pistoletë dhe automjetin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme./albeu.com/