Presidenti rus Vladimir Putin përmbysi dekada të paqes dhe qëndrueshmërisë në Evropë me sulmin e paprovokuar kundër Ukrainës. Ekspertët thonë për Zërin e Amerikës se ai është një udhëheqës ideologjik, që ka për qëllim t’ia rikthejë Rusisë statusin e superfuqisë, që e humbi pas shembjes së Bashkimit Sovjetik.
Vladimir Vladimirovich Putin lindi në Leningrad, Shën Petersburgun e sotëm në Rusi më 1952. Në vitin 1975, ai iu bashkua shërbimit të inteligjencës së jashtme ruse, KGB, dhe u vendos në Gjermani, para se të futej në politikë.
Në fund të vitit 1999, presidenti Boris Yeltsin dha dorëheqjen pas një skandali, duke i dhënë zotit Putin postin e presidentit në detyrë, në këmbim të imunitetit nga ndjekja penale.
Nga ajo kohë ai kontrollon pushtetin në Moskë, duke fituar zgjedhjet disa herë, të konsideruara gjithnjë e më shumë si të manipuluara, duke shmangur kufizimet e mandatit dhe duke burgosur, ose duke u përpjekur të vrasë kundërshtarët e tij kryesorë politikë, thotë Michael Kimmage nga Fondi Gjerman Marshall.
“Ka shumë raste gazetarësh, zyrtarësh të zbulimit, apo të tjerë, që janë vrarë. Supozohet se janë kryer me urdhër të Putinit, ose të paktën, nën komandën e vartësve të tij”, thotë ai.
Vladimir Putin ka kultivuar imazhin e një mashkulli të fuqishëm me autoritet dhe që ka njohuri për gjithshka. Kjo përputhet me ideologjin e udhëheqjes së tij, thotë profesori i psikologjisë Samuel Hunter, ndërsa shton se udhëheqës si ai shohin nga e kaluara.
“Ata flasin për kohën kur gjërat ishin më mirë. Flasin se si nën udhëheqjen e tyre do të kthehen në epokën kur kishin më shumë ndikim dhe fuqi. Putini është shembulli i duhur i kësaj”, thotë zoti Hunter.
Zoti Putin dëshiron që Rusia të trajtohet sërish si një superfuqi, thotë Angela Stent nga Instituti Brookings.
“Ai beson se pjesa tjetër e botës duhet ta trajtojë Rusinë si dikur Bashkimin Sovjetik. Ai nuk kërkon rikthimin e Bashkimit Sovjetik, por dëshiron të trajtohet si fuqi e madhe, pikëpamjet e së cilës respektohen, që njerëzit të frikësohen nga Rusia dhe të pranojnë se është e drejtë e saj, të shtrijë ndikimin tek vendet fqinje”, thotë zonja Stent.
Analisti Kimmage pajtohet.
“Në sytë e tij, ai është patriot i madh rus. Ai është i përkushtuar për të kaluarën dhe madhështinë ruse, si një forcë motivuese. Sigurisht, pikënisja është dëshira e tij për pushtet dhe tërheqja që kishte nga KBG-ja si një institucion i fuqishëm”, thotë ai.
Pavarësisht ekonomisë relativisht të dobët të Rusisë, zoti Putin është përfshirë në konflikte të mëdha në mbarë botën dhe ka ndërtuar aleanca të forta, që kanë rritur popullaritetin e tij në vend, thotë Elizabeth Shackelford nga Këshilli i Çikagos për Çështje Globale.
“Gjëja kryesore është se ai erdhi dhe me të vërtetë e riktheu Rusinë në një lojtare të madhe në skenën botërore, pas një kohe kur Rusia ishte vërtetë e lënë mënjanë. Ai e bëri këtë duke goditur përtej mundësive të tij”, thotë ajo.
Megjithëse ai ka angazhuar trupat ruse në konflikte brutale, fillimi i një sulmi të plotë ndaj Ukrainës, për shumëkënd ishte befasi për shkak të shkallës së lartë të rrezikut, përfshirë ish-presidentin Barack Obama.
“Gjithmonë ishte i pamëshirshëm. Ju ishit dëshmitarë të asaj që bëri në Çeçeni. Ai nuk e kishte problem të shtypte ata që i shihte si kërcënim. Kjo nuk është diça e re. Por para pesë vitesh nuk do ta kisha menduar kurrë, që do të arrinte në këtë pikë”, thotë ish presidenti Obama.
Ekspertët thonë se që nga fillimi i pandemisë, zoti Putin mbeti vetëm dhe më i izoluar se kurrë, ndërsa u duk duke marrë masa ekstreme për t’u mbrojtur në takimet, që pati pak para sulmit kundër Ukrainës, me disa udhëheqës botërorë, që ishin të vaksinuar dhe të testuar për COVID./VOA