Detaje të reja tronditëse janë zbuluar nga 33 vjeçarja greke e cila vrau tre vajzat e saj të mitura.
Kanë qenë mediat greke të cilat i janë referuar burimeve të prokurorisë, të cilat kanë bërë publike të vërtetat e tmerrshme nga ngjarja.
“Zougla” shkruan se në vetëm një ditë ajo kishte tentuar 5 herë të vriste vajzën e saj, Georgina. Roula Pispiringu në 28 Janar 2022, i kishte injektuar të miturës 5 doza të vogla ketaminë, përkatësisht dozën e parë në orën 11:00, më pas në 11:25, 14:30, 18:30 dhe dozën që i mori jetën ia kishte dhënë afër mesnatës.
Tashmë provat kundër saj janë tepër të forta dhe të lidhura me njëra-tjetrën ndërsa sot në orën 12:00 ajo do të dalë para hetuesit të 18-të për të dëshmuar.
Ndërsa ndodhet në paraburgim, thuhet se pa asnjë shenjë shqetësimi dhe tepër e qetë, vijon të jetë në kontakt të afërt me avokatët e saj për të përgatitur mbrojtjen. Por tashmë ajo nuk do të përballet vetëm me akuzat e Drejtësisë, por edhe me bashkëshortin e saj, babën e fëmijëve të ndjerë.
Por nëna monstër nuk do të dorëzohet aq kollaj dhe duket se rruga deri në pranimin e krimit do të jetë tepër e gjatë, pasi ajo do të tentojë të mbrohet duke thënë se substanca ketaminë ndodhej në dhomën ku mjekohej e bija dhe se nuk ia ka dhënë ajo, por është dhënë në mënyrë të pakujdesshme nga mjekët.
Dëshmia e një infermiere ka tronditur opinion publik, teksa tregon se në momentet e fundit të jetës së 9-vjeçares teksa mjekët po bënin përpjekje të jashtëzakonshme për ta shpëtuar, Roula u është drejtuar duke u thënë që të mos lodhen kot pasi Georgina nuk kthehej më në jetë.
Ndërkohë që një tjetër detaj i fortë që pritet që drejtësia ta zbulojë më tepër, është fakti se Roula dyshohet se në arkivolin e të bijës ka futur edhe një tablet, që mendohet se ka dashur që me “varrosjen” e tij të fsheh gjurmë të rëndësishme që do të çonin në zbulimin e gjithçkaje.
Po ashtu dyshohet se në këtë histori përfshihet edhe një person i dytë, që mendohet se ka pasur dijeni për makabritetet e saj dhe nuk ka treguar.