Modernizimi masiv i forcave të armatosura gjermane ka nisur. Koncernet gjermane të armatimit marrin porosi, Gjermania do të blejë avionë amerikanë F-35, shkruan Auron Dodi.
Kthesa historike në politikën e mbrojtjes dhe të energjisë të Gjermanisë krijon kushtet për një peizazh të ndryshëm industrial në Gjermani. Koncernet gjermane të armatimit pritet të luajnë një rol më të madh në prodhimin industrial të Gjermanisë. Deri tani Gjermania ka qenë një nga eksportueset e mëdha të armëve në botë. Por në prodhimin e përgjithshëm të Gjermanisë, industria e armatimit ka pasur peshë jo të rëndësishme.
Përfaqësues të industrisë gjermane të armatimit, si të koncernit Rheinmetall u thanë këto ditë mediave perëndimore se jo më larg se disa muaj më parë, në Gjermani ata i shikonin shpesh si industri „të dëmshme”. Kjo shkonte aq larg sa firmat e armatimit ndonjëherë e kishin të vështirë të merrnin kredi në bankat gjermane.
Jörg Vollmer, komandanti i “Allied Joint Forces Command” të NATO-s në Brunssum tha se me aneksimin e Krimesë dhe me luftën në Donbass, transformimi i forcave të armatosura gjermane nisi. Por ky transformim”nuk qe i mjaftueshëm”.
„Bum porosish për armatime”
Kurse tani situata është krejtësisht e ndryshme. Vetëm këtë vit Gjermania do të shpenzojë 100 miliardë Euro shtesë për mbrojtjen, kurse prej mot më shumë se 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, Gjermania vendosi të kthehet në fuqinë e tretë në botë, pas SHBA dhe Kinës, për investimet për mbrojtjen.
Mitroloz i tipit MG 3, prodhim i koncernit Rheinmetall
Koncerni gjerman i armatimit Rheinmetall, me qendër në Dyseldorf, i tha dje revistës „Der Spiegel” se pret një bum porosish për armatime e pajisje. Vetëm ky koncern me 24.000 punonjës, pret një rritje prej 20 përqind të porosive. Ai po përgatitet të shtojë 1500 deri 3000 punonjës në fabrikat në Gjermani, në Angli dhe në Australi.
Pas fillimit të luftës në Ukrainë, Rheinmetall-i i ofroi qeverisë gjermane një paketë afatgjatë produktesh, me vlerë 42 miliardë Euro. Paketa përmban oferta për tanke, municione, kamionë ushtarakë dhe mallra të tjera. Rheinmetall prodhon edhe armë dhe sisteme kundërajrore.
Oferta qeverisë i kanë bërë edhe koncerne të tjera gjermane të armatimit, si p.sh. specialisti i sensorëve për radarë dhe kamera Hensoldt, si dhe ndërtuesi i nëndeteseve Thyssenkrupp. Por nuk mungojnë as sipërmarrje më të vogla, si p.sh. Jensoptik, që prodhon dylbi për pushkët.
100 miliardë Euro shtesë për mbrojtjen
Sipas medieve, fondet shtesë këtë vit do të përdoren për pasardhësit e avionëve Tornado, për helikopterë transporti dhe për avionë shtesë, Eurofighter. Kështu, 15 miliardë Euro janë parashikuar për avionët F-35 dhe avionë të tjerë, 5 miliardë Euro do të jepen për helikopterët e rinj të transportit të rëndë. 2.5 miliardë Euro do të investohen për zhvillimin e mëtejshëm të avionit Eurofighter. 20 miliardë Euro për municion. 3 miliardë Euro do të përdoren në digjitalizimin e trupave, operacionet e tyre në tokë, dhe për pajisje dhe poste komanduese. 1,1 miliardë do të përdoren për modernizimin e sistemit tokë-ajër Patriot. Do të blihen edhe drona të armatosura, korveta dhe fregata për marinën.
Pse do të blejë Gjermania avionë F-35
Në vitin 2019 Gjermania vendosi të blejë avionë amerikanë F-18 të prodhuesit Boeing. Këta avionë, që do të përdoreshin për të transportuar armë bërthamore, do të shërbenin si zgjidhje kalimtare deri sa të niste prodhimi i avionëve luftarakë evropianë të brezit të ri, New Generation Fighter, pjesë e sistemit Future Combat System, që po zhvillohet nga Gjermania, Franca dhe Italia.
Por për një sërë arsyesh, Gjermania tani hoqi dorë nga ky plan. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht deklaroi se Gjermania do të blejë avionë amerikanë F-35.
Arsyet janë nga njëra anë ushtarake, nga ana tjetër ato kanë bëjnë me ecurinë e bashkëpunimit gjermano-francez për zhvillimin e avionit New Generation Fighter. Një faktor i rëndësishëm është edhe fakti se avioni amerikan F-35 po kthehet në standard të ushtrive evropiane.
Avionë F-35C Lightning II
Arsyet ushtarake janë se avionët amerikanë F-35, të prodhuesit Lockheed Martin, janë thuajse të padiktueshëm nga radari. Sipas ekspertëve ushtarakë gjermanë, avionët F-35 mund të dallojnë më tej objektiva në largësi dhe t’i asgjësojnë, më mirë se çdo avion tjetër aktualisht në tregun botëror.
Gjermania ka vendosur të blejë 35 avionë F-35 për të transportuar me ta armë bërthamore. Vetë Gjermania nuk ka armë bërthamore. Por në Perëndim të Gjermanisë, në Büchel, janë të vendosura prej dekadash armë bërthamore të SHBA. Në rast rrezikimi, Gjermania mund t’i transportojë këto armë në destinacion.
Me avionët F-35 Gjermania do të zëvendësojë avionët gjermanë Tornado. Gjermania ka 93 avionë të tillë, që janë përdorim që në vitin 1980.
Një pjesë e avionëve Tornadove janë të aftë që të transportojnë armë bërthamore. Të tjerët luftojnë radarët dhe përdoren për zbulim.
Avioni F-35 po kthehet në standard evropian, sepse atë e përdorin shumë vende të NATO-s. Si p.sh. Britania e Madhe, Italia, Holanda, Belgjika. Edhe Polonia ka vendosur ta blejë këtë avion. Spanja po e shqyrton blerjen. Danimarka, Norvegjia, Finlanda dhe Zvicra tashmë e kanë F-25 pjesë të flotës së tyre ajrore. Ky fakt e bën më të lehtë bashkëpunimin evropian.
Kritika franceze: F-35 – simbol i pushtetit të SHBA në NATO
Vendimi i Gjermanisë për ta modernizuar masivisht ushtrinë u mirëprit në mediat franceze. Por vendimin për blerjen F-35, francezët e pritën me zhgënjim. Francezët e shohin F-35 si simbol të pushtetit të SHBA në NATO. Analistë francezë thanë se për të zhvilluar një sovranitet evropian në mbrojtje, Gjermania duhet të ishte përqendruar në politikën evropiane të armatimit. Por gjërat nuk janë kaq të thjeshta.
Gjermania do të blejë tani edhe 15 avionë të prodhimit evropian Eurofighter Typhoon, për t’i përdorur në luftën elektronike. Me ta ajo do të shtojë flotën e 140 avionëve Eurofighter që ka.
Ushtarë të Bundeswehrit, pjesë e njësisë së NATO-s në Lituani
Së dyti, Gjermania nuk po e braktis avionin supermodern luftarak, New Generation Fighter, që do të ndërtohet së bashku me francezët dhe spanjollët. Ky avioni është elementi kryesor i Future Combat System, sistemit luftarak të ardhshëm. Në këtë sistem avionët do të komunikojnë me drona dhe satelitë. Ata mund të kenë edhe armë me lazer.
Francezët nuk ofruan qasje teknologjike për gjermanët
Por sipas planeve, ky avion i ri duhet të kalojë në prodhim jo para vitit 2025 ose 2026. I gjithë sistemi Future Combat System vihet në përdorim në vitin 2040. Ndërsa bashkëpunimi me francezët ka pasur fërkime.
Koncerni francez Dassault, që do të zhvillojë dhe administrojë sistemin e drejtimit të avionit të ri evropian, nuk i lejoi gjermanët të kenë qasje në teknologji.
Në shkurt 2021, në mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes gjermano-francez, kancelarja Angela Merkel tha se “zhvillimi i avionit është nën drejtimin francez, por industria gjermane duhet të jetë në gjendje të marrë pjesë në një nivel të kënaqshëm.” Gjermania ka premtuar miliarda Euro për këtë projekt dhe është e kuptueshme që kërkoi qasje për industrinë e saj.
Në qershor 2021, Gjermania dhe Franca bënë një bilanc të zbatimit të Traktatit të Ahenit, të miqësisë midis dy vendeve. Në të Presidenti francez Emmanuel Macron tha se mosmarrëveshjet ushtarake me Gjermaninë qenë zgjidhur. Por burime të tjera thanë në janar 2022 se përsa i përket avionit të ri, mosmarrëveshjet kanë vazhduar.
Megjithatë, Berlini bëri së fundi një deklaratë për ta qetësuar frikën franceze se me blerjen e avionëve F-35 Gjermanisë nuk i nevojitet më Future Combat System. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, tha se tani buxheti ushtarak i Gjermanisë është i mjaftueshëm që të vazhdojë investimi edhe për projektin me francezët. Edhe për tankun e betejës të brezit të ri, i cili do të prodhohet nën drejtimin gjerman, bashkëpunimi me francezët do të vazhdojë sipas planifikimit. /DW/